Interviste botuar ne gazeten The Albanian, Londer, 1 shkurt 2012 – EkskluzivePërfaqësuesi i mendimeve për një emancipim mbarë shqiptar, hartuesi i tezës mbi nevojën e Shqipërisë Natyrale¸ analisti, politikani dhe ideologu i Platformës për Shqipëri Natyrale Dr, Koço Danaj, ekskluzivisht dha për The Albanian një intervistë në të cilën shtjellon gjerësisht, gjithçka përfaqëson kjo Tezë dhe udhërrëfyesit deri në zgjidhje të aspiratës mbarë shqiptare. Zoti Danaj çfarë do të thotë për ju Shqipëri Natyrale, ku është ndryshimi mes Shqipërisë Etnike, Shqipëri e Madhe ?
Sipas Platformës, Shqipëria Natyrale, nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria e shpallur më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës. Pra kërkesa për Shqipëri Natyrale, është në thelb kërkesa për zbatimin e një Akti Juridik i cili u injorua nga mbledhja e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913.
Ky injorim u bë në mënyrë më shumë se kolonialiste, u bë në mënyrë barbare. Jo vetëm që kjo mbledhje që u mblodh në 16 dhjetor 1912, pra 18 ditë më pas shpalljes së pavarësisë, nuk e mori parasysh këtë akt juridik, por i trajtoi trojet shqiptare si plaçkë tregu. Vetë kryetari i mbledhjes ish- ministri i Jashtëm britanik Edwards Grey e pranon një gjë të tillë në librin e tij “Memoires”, Kujtime, të botuar në vitin 1927, një kopje të së cilës e zotëron edhe “Lista për Shqipëri Natyrale”. Ja se çfarë thotë Grey në Kujtimet e tij:…. lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave (Detroits), sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund t’i vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë. Çështja e rrezikut dhe e përplasjes ishte Shqipëria, ku dominimi turk u thye pas luftës.
Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës. (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246). Plaçkë lufte-ja si i ka konsideruar Grey trojet shqiptare. Është më shumë se cinizëm, është gjenocid shumë herë më I madh se gjenocidi turk kundër Armenisë. Ndërsa nocioni Shqipëri e Madhe lindi pas marrëveshjes Ciano Ribentrop në qershor 1941 pasi Gjermania kishte pushtuar Jugosllavinë. Aso kohe, kufiri u vendos tek Ura e Ibrit, nga Kosova u shkëput, Kaçaniku, Presheva, Bujanoci, Vitia, Kumanova etj që ju bashkuan Bullgarisë së Madhe të Car Borisit. Pjesa tjetër u nda në 4 prefektura dhe u bashkua me Shqipërinë. Pra prapë copëtim.
E keni trajtuar herë pas here në 35 të shkruara dhe televizive iniciativën tuaj të Shqipërisë Natyrale. Përveç mbështetjes nga opinioni i i gjerë shqiptar, a keni përkrahje edhe nga rrafshi intelektual, akademik apo dhe ai politik?
I pari është opinioni i gjerë shqiptar, ai është masiv në favor të Shqipërisë Natyrale, 82 përqind në Kosovë, 64 përqind në Shqipëri dhe 89 përqind në Maqedoni. Në mesin e kësaj përqindje janë me qindra intelektualë patriotë. Ndërsa sa për politikanët, një pjesë prej tyre janë kundër sepse e kanë më të lehtë të konkurojnë në Vilajetet e tyre se sa në mbarë hapësirën shqiptare, një pjesë e pranojnë domosdoshmërinë e bashkimit, por kanë akoma frikë të flasin hapur. Nga kontaktet e mija me deputetë në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj mund t’ju them se deri më tani 62 prej tyre e pranojnë domosdoshmërinë e bashkimit të kombit shqiptar.
Duke e përmbledhur pyetjen tuaj do të thosha se në mënyrë figurative ka dy hapësira në mbarë kombin shqiptar. E para është hapësira që i fton shqiptarët të bashkohen në Bruksel. Dhe e dyta është hapësira që i fton shqiptarët të shkojnë të bashkuar në Bruksel. Hapësira e dytë është shumë më e madhe. Ku kemi mbërritur? Platforma e Shqipërisë Natyrale është përqafuar tashmë nga qindra mijëra shqiptarë në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Sot në mbarë hapësirën shqiptare dhe në Diasporë janë 125 mijë anëtarë, mbështetës dhe simpatizantë të Listës Për Shqipëri Natyrale. Bile është pranuar si nocion politik edhe nga fqinjët tanë, serb, grek, maqedonas apo malazez. Po ju jap vetëm një shifër,qysh nga shpallja zyrtare e Listës së Shqipërisë natyrale në datën 30 tetor 2010 e deri më sot, në 35n e shkruar dhe atë elektronike të fqinjëve tanë janë botuar mbi 800 analiza, deklarata, shkrime,njoftime. E përbashkëta e tyre është se të gjithë përdorin nocionin Shqipëri Natyrale. Mjafton të kërkoni në google.com emrin Prirodna Albanija dhe do ta verifikoni vetë çfarë thashë më lart. Tashmë ka kohë që ka filluar faza e organizimit të saj në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Ka disa ditë që kemi filluar botimin e gazetës elektronike www.shqiperianatyrale.com, ndërsa në muajin Mars 2012 do të filloj botimi i gazetës së përditshme Shqipëria Natyrale. Po në muajin Janar, ministrat e jashtëm të Italisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Austrisë dhe SHBA-së do të kenë në dorë kërkesën e Listës Për Shqipëri Natyrale për anulimin e Konferencës së Londrës me fakte dhe argumente të panjohura deri më sot. Më duhet të sqaroj se Lista për Shqipëri Natyrale është misionare, ajo nuk synon pushtetin politik, por shtetin-komb, prandaj ne kemi anëtarë të Listës politikanë, deputetë të cilët sot bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, intelektualë të cilët simpatizojnë këtë apo atë parti politike. Prandaj quhemi Listë. Ne nuk na intereson kush është i pari. Për ne e para është domosdoshmëria e sendërtimit të Shqipërisë Natyrale. Ne jemi të gjithë të nevojshëm, por nuk jemi të domosdoshëm, e domosdoshme është vetëm Shqipëria Natyrale, pa të cilën nuk do të ketë as progres, as mirëqenie për shqiptarët, por as paqe dhe stabilitet për fqinjët dhe Brukselin. Kyçi i paqes dhe stabilitetit rajonal është vetëm Shqipëria Natyrale.
Ndërkohë po punoni në platformën e Listës për Shqipëri Natyrale, a mendoni se referendumi do të detyroj politikën e Madhe, kam parasysh atë Amerikane dhe Evropiane, që të përkrahet “Shqipëria Natyrale” ose më saktë legjitimi i një referendumi të mundshëm, për një synim të tillë?
Jam i sigurte që po, pasi Platforma e Shqipërisë Natyrale është ofertë për paqe dhe stabilitet në rajon. Paqen e duan të gjithë, luftën e duan trafikantët e armëve. Dhe sa kohë që është kështu, çdo gjë do të jetë e ligjshme, edhe referendumi. Po ju marr një shembull, ku bashkësia ndërkombëtare po bindet për herë e më tepër se ka nevojë për zgjidhje reale. Dhe kjo ka të bëjë me Maqedoninë. Çfarë ndodh: Bashkëjetesa e shqiptarëve në Maqedoni ka qenë paqësore vetëm atëherë kur shqiptarët kanë pranuar të jenë qytetarë të dorës së dytë. Ndërsa kur shqiptarët kanë kërkuar të jenë të barabartë, bashkëjetesa ka qenë e trazuar deri edhe me kryengritje siç ndodhi në vitin 2001. Maqedonia do të ketë të ardhme vetëm kur shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë Natyrale. Deri atëherë, Maqedonia do jetë një shtet, pa të ardhme, pa perspektiv. Edhe sot që po flasim, shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë qytetarë të dorës së dytë. Po ju sjell disa shembuj: Sot shqiptarët në Maqedoni nuk kanë ligj të përdorin Flamurin Kombëtar, ai u anulua në vitin 2007. Sot shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë të drejtën e një feste shtetërore. Maqedonia si shtet ka 6 festa shtetërore, por asnjë nuk përkon me histori shqiptare, në të kundërtën, ata janë të barazuar lidhur me festat me serbët me turqit etj që jetojnë në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit, ishte një marrëveshje që shpëtoi Maqedoninë nga shpërbërja. Por shikoni se çfarë ndodh, caktohet një zëvendës kryeministër për zbatimin e saj dhe ai gjithmonë është shqiptar. Nënteksti është i qartë: Po ju japim një lëmoshë, po i ndërrojmë kursin Marrëveshjes, po e trajtojmë atë thjesht si një lëshim ndaj shqiptarëve. Ndërsa lidhur me të ardhmen e Maqedonisë, le të analizojmë vetëm të ashtuquajturin problem të emrit të saj. Ka mbi një dekadë që emri i saj nuk pranohet nga Greqia. Por Greqia është anëtare e BE-së. Atëherë edhe BE është dakord me Greqinë lidhur me mosmarrëveshjet mbi emrin. Cili është konkluzioni që del? Problemi i emrit është thjesht një pretekst, është një mbulese. Thelbi i problemit është se bashkësia ndërkombëtare akoma nuk di se çfarë të bëjë me këtë shtet. Intervistoi
Bashkim Metalia