Intervistë për Ora News, Kurti: Tirana duhet të ndërhyjë, më të bashkuara janë vendet e BE sesa Kosova me Shqipërinë

Ish-kreu i VV, Albin Kurti tha në studion e lajmeve të Ora News se me të bashkuar janë vendet e BE, sesa Kosova me Shqipërinë. Kurti tha se Tirana zyrtare duhet të ndërhyjë në situatën që ka përfshirë Kosovën, pasi është i vetmi vend që e ka këtë të drejtë.

Albin Kurti: Unë mendoj se problemi nuk është që Tirana po ndërhyn, problemi është që Tirana nuk po ndërhyn.

Do të duhej që Tirana të ndërhyjë dhe është shumë e padrejtë nga ana e kryeministrit të Kosovës, kur dihet që në Kosovë nuk mbeti kush pa ndërhyrë, tani ti, t’i bësh rezistencë nga Shqipëria. Madje nëse ka dikush të drejtë që të ndërhyjë është pikërisht Tirana. Dhe ky pikërisht instancës që ka të drejtë të ndërhyjë i kundërvihet, ndërkohë që ndërhyrjeve të Serbisë nuk i thotë asgjë. Ai na ka quajtur edhe ne kriminelë, por Vuçiçin e Daçiçin nuk i quan kurrë kriminelë, ndonëse janë përgjegjës për planifikimin e gjenocidit në vitet 1998-1999. Pra e ka gjuhën pakrahësimisht më të ashpër ndaj VV sesa ndaj Beogradit dhe rjedhimisht e ka edhe reagimin shumë të ashpër ndaj Tiranës sesa ndaj Beogradit.

Problemi që kam unë është mosndërhyrja e Tiranës. Tirana nuk po ndërhyn, Tirana po organizon takime ceremoniale, mbledhje formale me qeverinë e Kosovës, shkëmben vizita po nuk ka shumë përmbajtje, nuk ka shumë substancë. Shumë më të bashkuara janë vendet e BE sesa Kosova me Shqipërinë. Vendet e BE e kanë bankën e përbashkët qendrore, e kanë tregun e përbashkët, e kanë valutën e përbashkët. Ne këto nuk i kemi me Shqipërinë. Pra Shqipëria dhe Kosova janë shumë më të ndara sesa shtetet e veçanta në kuadër të BE. Ne duhet të krijojmë mekanizma të përbashkëta Kosovë-Serbi. Jo vetëm nënshkruajnë marrëveshje, ceremoniale. Nuk është vetëm mundësi, por edhe obligim.

Kurti dha alarmin se në Ballkan do të ketë furtuna të reja pasi ka nisur nje garë armatimi mes Serbisë dhe Kroacisë. Ai tha se problemi në Ballkan janë Serbia dhe Rusia.

Albin Kurti:  Ne do të jemi edhe më aktiv, edhe më të vendosur. Jam shumë optimist që do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare ku ne do të dalim subjëekti i parë. Por, unë tërheq vëmendjen se zhvillimet në Ballkanë të përcillen me shumë vëmendje se ka nisur një garë në armatim midis Serbisë dhe Kroacisë. Unë mendoj se nëse vazhdojnë kështu zhvillimet politike në Ballkan, ku ne nuk hyjmë në BE, ku Serbia lejohet të koketojë edhe me Moskën edhe të integrohet në BE. Ne do të mund të kemi furtuna të reja dhe nuk duhet të jemi të papërgatitur sic ishim në vitin 89-90-91 dhe mbase sic ishim në vitet 98-99. Shqiptarët edhe më së shumti kanë vuajtur në Jugosllavi, mirëpo kanë luftuar të fundit. Unë mendoj se problemi i Ballkanit më tutje janë Serbia dhe Rusia.

Hashim Thaci president, për Kurtin është pazar politik, por sipas tij nuk garanton unitet.

Kurti: Më shumë ka unitet kundër Thaçit në Kosovë, sesa që ky me zgjedhjen e tij President do të mund të përfaqësonte ndonjë far uniteti qytetarëve të Republikës. Nuk mendoj se është person ii duhur për këtë gjë, ai është shumë partiak, është shumë kontravers.

Për veten garanton se nuk vuan nga sindroma e Heroit.

Kurti: Nuk besoj se kjo është e vërtetë, madje mendoj që kemi shumë më tepër vizion në programe alternative sesa guxim. Në një situatë ku populli është i varfër, i papunë, i shtypur kurrë nuk ka guxim të mjaftueshëm.

Zgjedhjet e reja parlamentare, e vetmja rrugë

Kurti: Problemi është se ata dialogun e kanë bërë me Serbinë dhe e kanë shndërruar në një marrëveshje, në formë të një akti të kryer dhe është absurde të kërkojnë dialog me ne. Ata është dashur që të tërhiqen nga ato marrëveshje dhe pastaj ta ftojnë opozitën për dialog. Nuk ka kuptim që qeveria aktuale edhe bën dialog me Serbinë edhe kërkon dialog me opozitën. Nuk do të merren vesh edhe me Serbinë edhe me ne. Nuk do të kenë paqe edhe me Beogradin edhe me opozitën, përkatësisht lëvizjen VV. Kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar prej tyre që ose të tërhiqen prej marrëveshjeve, ose ti hedhin marrëveshjet në referendum, ose të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo e fundit ka mbetur tashmë e vetmja rrugë për shkak se nuk u tërhoqen nga marrëveshjet, referendumin thanë që nuk e bëjnë. Ndërkohë akt vendimi i gjykatës kushtetuese thotë që 7 kapitujt e marrëveshjes Mustafa-Vuçiç nga 25 gushti i vitit të kaluar secila prej këtyre 7 kapitujve e shkel Kushtetutën e Kosovës në gjithësej 23 nene. Një qeveri antikushtetuese nuk do të qëndrojë në pushtet edhe më tutje. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë dorëheqje të menjëhershme të kësaj qeverie dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Marrëveshja e Zajednicës, një mini Republike Serbe

Kurti: Gjykata Kushtetuese ka sjellë një vendim të mirë, por kjo nuk do të thotë se Gjykata Kushtetuese është e mirë. Kjo do të thotë që Zajednica e Serbisë është shumë e keqe. Serbët në Kosovë janë shumicë në 10 komuna të Kosovës, që gjithësej bëjnë afër çerekun e territorit të Kosovës dhe pasi u ndanë prej nesh me planin e Atihsarit, tani po synojnë të bëhen bashkë nëpërmjet Zajednicës, që do të ketë Presidentin e vet, flamurin e vet, simbolet e veta, do të ketë asamblenë e vetë, do të ketë bordin e vetë ekzekutiv, do të ketë të drejtë për të hyrë në marrëdhënie ndërkmbëtare me të tjerët, përfshirë këtu edhe asociacionet në Republikën Serbe në Bosnje dhe deri në Rusi. Pra do të përfshihet në punët e jashtme të Kosovës, do ta copotojë Kosovën sëbrendshmi me fuqi ekzekutive, me mbikqyrje të plotë sa i përket fushës së arsimit, shëndetësisë, kulturës, zhvillimit ekonomik. Me fjalë të tjera një lloj mini Republikë Serbe.

Intervista e plotë:

 

/Oranews.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>