Intervistë e Visar Ymerit për “Java News”
Ekskluzive/ Kryetari i “Vetëvendosjes” në këtë intervistë për “JAVA”, menjëherë pas mospranimit në UNESCO shpjegon arsyet sepse dështoi Republika e Kosovës; pse nuk mund të bëhet më marrëveshje me Serbinë dhe ca më shumë akoma pse ky lidërship i Kosovës e ka të pamundur ta përfaqësoj vendin me kredencialet e veta…
Intervistoi Ben Andoni
Për kryetarin Visar Ymeri dhe të gjithë njerëzit e tjerë të Vetëvendosjes nuk ka asnjë mëdyshje. Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa dhe Hashim Thaçit, si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm nuk e përfaqëson më Kosovën.
Në një bilanc në retrospektivë që bën prej nga viti 2010, autoriteti ndërkombëtar i Kosovës është përkeqësuar ashpër. Dhe për publikun e “JAVA” ka ardhur një paralele me atë që ka ndodhur në Bosnjë me krijimin e administrimit serb në territor dhe që ka funksionuar për ta në kurriz të Bosnjës. E neve s’na falet sepse e kemi provuar në lëkurën tonë, këtë që kanë bërë serbët, thotë ai.
E nëse kryeministri nuk llogaritet, Thaçi është “përgjegjësi kryesor për një shërbim diplomatik aspak në nivel të detyrës përkundrazi. Prej vitesh ne paralajmërojmë dhe dokumentojmë e argumentojmë se ndikimi i Rusisë dhe përdorimi i saj nga Serbia do ta bllokojë gjithnjë e më shumë aktivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe se rruga nuk është amnistimi i krimeve të Serbisë përmes negociatave me Kosovën por kushtëzimi i saj. Drejtuesit e politikës së Jashtme të Kosovës kanë ndjekur një rrugë pa krye që po e kryqëzon Kosovën. Taktizimi i Hashim Thaçi për të gjetur rrugë të shkurtra pra jo zhvillim e forcim i Kosovës por tryeza negociatash me Serbinë e kanë sjellë një ripozicionim të Serbisë në rajon. Kjo politikë e Thaçit po e normalizon hegjemoninë dhe fashizmin e shtetit serb edhe për të kaluarën edhe për tashmen”.
Dhe, a ka ndonjë zgjidhje e gjithë kjo. Po, patjetër. “Ne do ta vazhdojmë protestën. Nuk heqim dorë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që Qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet ose nga të qenit qeveri e Kosovës”, përfundon ai.
Duket se një nga kërkesat tuaja për të qenë diskret në marrëdhënie me Serbinë është vërtetuar, përkundrejt luftës së paepur të Serbisë për të penguar Kosovën në UNESCO. Duket se politika e jashtme e Kosovës është e dështuar në gjetjen e lobimit të duhur për anëtarësimin në UNESCO? A kishit ndonjë shpresë se Kosova do të votohej?
“Pavarësisht shpresave tona madje pavarësisht dhe rezultatit të mundshëm pozitiv për anëtarësim sulmi agresiv i Serbisë është vërtetimi, për fat të keq, i sërishëm i të gjithë kritikave tona për qëndrimet zyrtare të Qeverive të Kosovës veçanërisht ato pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Pozicioni i Kosovës në raport me Serbinë sa i takon subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë prej vitit 2010 është përkeqësuar ndjeshëm. Në fund të vitit 2011 ekipi negociator i qeverisë së Kosovës ra dakord dhe e finalizoi në shkurt mbajtjen e footnotës për Kosovën me pretekstin se kjo do ta lejonte pjesëmarrjen e papenguar nga Serbia në forume rajonale e më gjerë. Footnota i mbeti Kosovës si një lloj i kontestimit ndërsa Serbia as ndërroi sjellje në pengimin apo protestën sa herë që Kosova që e ftuar në forume.
Në Marrëveshjen të ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pika 14 e saj shkruan se janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë palën tjetër në rrugën përkatëse drejt BE-së. VETËVENDOSJE! pati protestuar e kërkuar me këmbëngulësi që as mos të miratohej në Kuvend kjo marrëveshje e as mos të pranohej si premisë negociimi. E konkretisht për këtë pikë ne patëm paralajmëruar se Serbia mund të angazhohet kundër anëtarësimit të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar përveç në BE, ku edhe ashtu jemi tepër larg, e madje as Serbia s’na bën dot gjë edhe për shumë vite. Në fakt, kjo është më shumë që Kosova të mos e pengojë Serbinë. Por pushteti i Hashim Thaçit në atë kohë na pati nxjerrë zvarrë ne deputetët e VETËVENDOSJE!-s nga salla e Kuvendit të Kosovës duke lejuar të papenguar votimin për këtë marrëveshje që plot frute të hidhura i kanë dhënë brenda Kosovës siç është Lista serbe e Beogradit brenda institucioneve tona dhe frytin e parë të hidhur ndërkombëtarisht e dha të hënën më 9 nëntor ku Kosova u refuzua të jetë anëtare e UNESCO-s.
Sa i takon politikës së jashtme të Kosovës në përgjithësi ajo prej shpalljes së Pavarësisë me 2008 po drejtohet ekskluzivisht nga taktikat, metodat e njerëzit kryesisht të Hashim Thaçit aktualisht dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Ai është përgjegjësi kryesor për një shërbim diplomatik aspak në nivel të detyrës përkundrazi. Prej vitesh ne paralajmërojmë dhe dokumentojmë e argumentojmë se ndikimi i Rusisë dhe përdorimi i saj nga Serbia do ta bllokojë gjithnjë e më shumë aktivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe se rruga nuk është amnistimi i krimeve të Serbisë përmes negociatave me Kosovën por kushtëzimi i saj. Drejtuesit e politikës së Jashtme të Kosovës kanë ndjekur një rrugë pa krye që po e kryqëzon Kosovën. Taktizimi i Hashim Thaçi për të gjetur rrugë të shkurtra pra jo zhvillim e forcim i Kosovës por tryeza negociatash me Serbinë e kanë sjellë një ripozicionim të Serbisë në rajon. Kjo politikë e Thaçit po e normalizon hegjemoninë dhe fashizmin e shtetit serb edhe për të kaluarën edhe për tashmen”.
Juve si formacion keni thënë se do të jeni sërish jo bashkëpunues në parlamentin e Kosovës. A mendoni se kjo është rruga e drejtë, në këtë kohë të vështirë? A mund t’i kursenit format e kësaj lloj proteste për të mos krijuar precedentë?
“Ne do të vijojmë protestën tonë në Kuvend e kudo. Ne e konsiderojmë të domosdoshme ndaljen e këtij revanshi të Serbisë ndaj Kosovës dhe në Kosovë. Nuk ka precedentë më të rrezikshëm se sa “Zajednica”.
Doja t’ia rikujtoja lexuesve tuaj një fakt shumë të rëndësishëm këtu në rajonin e Ballkanit. Serbët në Bosnje Hercegovinë më 6 prill 1991 e shpallën “Zajednicën e komunave të krahinës së Bosnjës”. Ajo përbëhej nga 14 komuna me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë dhe drejtuar nga një këshill me përfaqësues nga secila komunë. Vetëm një vit më pas “Asambleja e Popullit Serb të Bosnje Hercegovinës” më 28 shkurt 1992 miratoi kushtetutën e Republikës Serbe të Bosnje Hercegovinës dhe me 14 dhjetor 1995 përmes Marrëveshjes në Dayton, “Republika Srpska” u njoh dhe ndërkombëtarisht. Ne e kemi dhe e njohim këtë eksperiencë e njohim po ashtu dhe Serbinë e kemi provuar në lëkurën tonë. Kështu që asgjë nuk janë mjetet tona të protestës nga ç’është rreziku i madh në të cilin e kanë futur Kosovën Isa Mustafa e Hashim Thaçi me marrëveshjet e fundit”.
Ku janë pikat e përbashkëta të Pozitës me Opozitën në Kosovë, nga ku mund të fillojë dialogu, sipas VV?
“Për momentin nuk ka asnjë pikë të përbashkët. Ata refuzojnë të bëjnë hapa prapa karshi rrezikut të ndarjes së Kosovës. Edhe pas dështimit të djeshëm në UNESCO dhe fushatës së Serbisë kundër Kosovës Hashim Thaçi u deklarua se dialogu me Serbinë do të vijojë.
Në këto kushte protesta është mjeti i përshtatshëm i komunikimit më këtë lloj të qeveritarëve në Kosovë”.
A është opsioni i vetëm zgjedhjet e parakohshme me këtë situatë ku ndodhet Kosova?
“Kërkesa kryesore e opozitës së bashkuar është tërheqja e Kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Nuk heqim dorë nga kjo kërkesë sepse besojmë se është e drejta, e duhur dhe e mbështetur nga mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës në Peticionin kundër marrëveshjeve. Në Kosovë edhe nga opozita e bashkuar edhe nga anëtarë të shoqërisë civile e studiues të së drejtës është përmendur mundësia e referendumit por Isa Mustafa është përgjigjur prerazi që nuk është për këtë opsion.
Ne do ta vazhdojmë protestën. Nuk heqim dorë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që Qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet ose nga të qenit qeveri e Kosovës”.