BE: EULEX-i nuk ka agjendë politike në Kosovë

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Prishtinë mohuan të ketë pasur ndërhyrje në një proces gjyqësor kundër kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit mohoi të ketë pasur çfarëdo ndërhyrjesh në një proces gjyqësor kundër kreut të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, dhe shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, diskutuan të enjten me udhëheqësit e Nismës për Kosovën, pohimet se Partia Demokratike në bashkëpunim me ish-shefin e këtij misioni, Bernd Borchardt dhe disa zyrtarë të Brukselit, mund të kenë ndërhyrë në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit të kaluar që të dënoheshin zoti Limaj dhe nëntë të tjerë të akuzuar për krime lufte.

E përditshmja Koha ditore, citon një burim të paidentifikuar nga EULEX-i sipas të cilit dënimin e zotit Limaj e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares. Dënimi, shkruan gazeta, ishte parë si mundësi ideale për prishjen e koalicionit të atëhershëm ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Në shtator u hap rigjykimi ndaj zotit Limaj dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në një burg në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999. Ata ishin liruar si të pafajshëm në shtator të vitit 2013.

Partia Demokratike nuk i komentoi shkrimet, ndërsa partia e zotit Limaj bëri thirrje që sa më shpejt të nis një hetim i plotë dhe i gjithanshëm ndaj të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë rast brenda dhe jashtë EULEX-it. Këtë kërkesë Nisma e ka shtruar edhe në takimin e së enjtes.

Në një njoftim të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, zoti Zhbogar citohet të ketë thënë se “EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit” dhe se sipas tij “ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme”.

Ndërsa shefi i EULEX-it Gabriele Meucci, i ka cilësuar pohimet për ndërhyrje si jo faktike.

Çështja ka nxitur shumë reagime në Kosovë, përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga e cila i kishte dërguar shefit të EULEX-it vënien e drejtësisë në rastin e zotit Limaj.

Hetime ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të njeriut. Këshilli, siç thuhet në një komunikatë, “dyshon dhe është i shqetësuar pse këto informata po rrjedhin pas përfundimit të misionit të një pjese të personelit ndërkombëtarë të EULEX-it dhe pse ata nuk po flasin gjatë mandatit të tyre?!”

Nuk është hera e parë që shfaqen pohime për parregullsi në radhët e EULEX-it. Në nëntor të vitit të kaluar, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini emëroi francezin Jean Paul Jacqué, si ekspert të pavarur për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të EULEX-it me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Vendimi i zonjës Mogherini, pasoi dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh.

Hedhja e dyshimeve të tilla nxiti shume reagime dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se ishin shqetësuar me mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>