Federata Ndërkombëtare e Basketbollit pranon Kosovën anëtare me të drejta të plotëFederata Ndërkombëtare e Basketbollit bëri të ditur të premten se Kosova është bërë anëtarja e 215-të e saj.
Vendimi, që u mor gjatë takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, pasoi pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit të kaluar.
Në një njoftim të FIBA-s thuhet se kjo federatë tash do të punojë për përfshirjen e ekipeve kombëtare të Kosovës në garat e saj duke filluar nga vera e këtij viti.
Federata e Basketbollit të Kosovës u shpreh shumë e kënaqur me vendimin e FIBA-s. Në një komunikatë të kësaj federate thuhet se “pranimi në FIBA është ngjarja më e madhe në shtatë dekadat e historisë së basketbollit në Kosovë. Ky akt shënon kurorëzimin e përpjekjeve që zgjatën me dekada, por edhe fillimin e një epoke të re, asaj të fuqizimit të basketbollit në Kosovë me ndihmë nga organizata botërore e basketbollit”.
Pranimi në FIBA është përshëndetur edhe nga udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës. Fakti që ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara vazhdon të pamundësojë edhe pjesëmarrjen e sportistëve të saj në shumë fusha të konkurrencës ndërkombëtare. (voa)