Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, thonë se zyrtarët e lartë apo bashkëpunëtorët e tyre vazhdojnë të jenë imunë ndaj hetimeve rreth pasurisë së tyre.Ata thonë se institucionet kompetente, që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, duhet të veprojnë duke u bazuar në ligjet ekzistuese, që pasuria e zyrtarëve të lartë të hetohet apo edhe të konfiskohet.
Kur një pasuri dyshohet se është fituar në mënyrë të paligjshme, ajo fillimisht ngrihet dhe sekuestrohet gjatë zhvillimit të hetimeve. Varësisht nga vendimi përfundimtar i gjykatës, pasuria edhe mund të konfiskohet nga shteti.
Në vitin 2014 totali i përgjithshëm i pasurisë së ngrirë apo të sekuestruar ka arritur në shumën prej rreth 31 milionë eurosh, thotë për Radion Evropa e Lirë koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu.
“Bëhet fjalë për vepra të ndryshme penale, pastrimi i parave, shpërdorimi i pozitës zyrtare, kontrabanda me mallra e të tjera”, tha Fazliu.
Por, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se i gjithë sistemi prokurorial e gjyqësor ka dështuar të konfiskojë pasurinë e fituar nga veprat kriminale.
Musliu thotë se sekuestrimi nuk përfundon me konfiskim.
“Çështja me problematike këtu është se ka dyshime se një pjesë e madhe e pronave të cilat janë të sekuestruara, në fakt mund të jenë prona për të cilat nuk ka vendime përfundimtare dhe ato mund të jenë shitur nga pronari, gjatë kësaj kohe derisa është folur për sekuestrimin e tyre”, tha Musliu.
Koordinatori Shqipdon Fazliu, theksoi se dispozitat ligjore ekzistuese kur bëhet fjalë për konfiskimin dhe sekuestrimin kanë paqartësi të theksuara.
“Një pjesë e tyre është mjaft konfuze, në kundërshtim me njëra tjetrën edhe kanë sjellë probleme te prokuroritë dhe gjykatat në interpretimin e tyre. Do të thotë, sfida rreth interpretimit të dispozitave ligjore lidhur me sekuestrimin edhe konfiskimin ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite”, tha Fazliu.
Për këtë çështje, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht, në raport me sekuestrimin e pasurisë, gjykatat janë duke vepruar në fazën e sekuestrimit të përkohshëm.
“Ka sekuestrime të përkohshme, por ka edhe procedura që duhet të zhvillohen deri në fund, do të thotë deri të sekuestrimi i përhershëm”, tha Peci.
Lidhur me këtë temë, zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar nuk kanë dashur të flasin.
Kurse, drejtori i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni thotë se gjitha ata persona që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e deklaruar e njëjta duhet t’u konfiskohet, por siç thotë ai deri me tash nuk ka ndodhur ende diçka e tillë.
“Pasuri të konfiskuar vlerësoj se në Kosovë nuk ka. Kurse, kjo pjesa tjetër, pasuri e ngrirë ose ndryshe si po e trajtojnë ose publikojnë është diçka tjetër, por të konfiskuar definitivisht vlerësoj se nuk ka”, tha Preteni.
Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren institucionet përkatëse.
Në vitin 2014, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”. (rel)