Për shtatë vjet të pavarësisë, Kosova po zhvillohet gradualisht me gjithë sfidat që i paraqiten përpara, kanë vlerësuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës.Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, të thirrur në shtatë vjetorin e pavarësisë, kanë folur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Ata kanë apostrofuar shumë nga arritjet, por edhe ngecjet e shtetit më të ri evropian.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se 17 Shkurti i vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, mund të shihet edhe si sublimim i punës dhe sakrificave të gjeneratave të shumta për pavarësi dhe liri.
Në ditën e Pavarësisë, ka vijuar Veseli, “Kosova falenderon edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, nga Uashingtoni, Londra e Berlini, që i dolën në ndihmë asaj për realizimin e aspiratave shekullore”.
Kjo festë, ka thënë Veseli shërben edhe për të bërë vlerësimin e zhvillimit të shtetit, por edhe sfidave të shumta të cilat nuk i lënë shumë vend Kosovës për vet-mburrje. Ndër sfidat kryesore, ai ka theksuar zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.
“Pa sundim të ligjit nuk do të ketë përparim në integrimet evropiane, pa sundim të ligjit nuk do të ketë siguri për qytetarët dhe as investime që ndikojnë në jetën tonë. Kosovën do ta bëjmë ashtu siç e deshën paraardhësit tanë dhe ashtu siç e duan pasardhësit tonë”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, kryeministri Mustafa, në fjalimin e tij para Kuvendit ka thënë se me shpalljen e pavarësisë Kosova u shkëput nga e kaluara e dhimbshme.
Mustafa ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët që e ndihmuan Kosovën dhe e shpëtuan nga gjenocidi. Pa ndihmën e tyre, Mustafa tha se Kosova nuk do të ishte sot një vend i pavarur dhe sovran.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për fenomenin e ikjeve, migrimeve të qytetarëve të Kosovës, të cilët i ka ftuar të kthehen dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
“Ne e dimë që qindra mijëra qytetar në qershor të vitit 1999 u kthyen në Kosovë nga vendet perëndimore edhe pse e kishin të drejtën e azilit dhe e kishin mundësinë ta fitojnë azilin atje. Ata lirinë nuk e këmbyen me azilin, nuk e këmbyen me ndihmat, por erdhën të jetojnë nga puna e tyre në vendin e lirisë. Andaj, edhe sot pres që qytetarët të kthehen dhe të punojnë në vendin e tyre. Ky është vend i sigurt për ta”, ka deklaruar Mustafa.
Në fjalimet e tyre liderët e institucioneve të Kosovës, kanë mbështetur edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Ata e kanë vlerësuar lartë njohjen e Kosovës nga 108 vende botërore dhe u kanë bërë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur, që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Në këtë seancë solemne nuk kanë marrë pjesë deputetët nga Lista Serbe, subjekt ky që bën pjesë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, por që nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Në pjesën e parë të seancës nuk ishin të pranishëm as deputetët e Vetëvendosjes, por ata u futën në seancë pas intonimit të himnit të Kosovës, ngaqë Vetëvendosje qysh moti është deklaruar se nuk i pranon simbolet e shtetit të Kosovës të parapara me dokumentin Pakoja e Ahtisarit, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës. (voa)