RAPORTI I MUSTAFËS NUK KËNAQ OPOZITËN

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, është përballur sot me deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës, derisa ka raportuar për marrëveshjen për drejtësi e arritur me 10 shkurt në Bruksel.Ndonëse kryeministri arsyetoi të mirat e kësaj marrëveshje, ai nuk ka arritur të bind opozitën.

Mustafa tha se kjo marrëveshje për të cilën është zhvilluar një dialog i gjatë ruan sistemin unik të drejtësisë në vend, duke numëruar një nga një parimet themelore të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes për drejtësi.

“Të gjitha zgjidhjet janë arritur në suaza të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe asnjë zgjidhje e pranueshme nuk kërkon ndryshimin e ligjeve por vetëm zbatimin e këtyre ligjeve në territorin e Kosovës. Parimet themelore të dialogut për drejtësi kane qenë. Sistemi unik i gjyqësorit , përkatësisht një gjykatë themelore për tërë rajonin e Mitrovicës siç është e paraparë me ligj, respektivisht një prokurori themelore. Gjyqtarët dhe prokurorët punojnë së bashku dhe jo të ndarë mbi baza etnike. Aspekti fizik i gjykatave të rregullohet në mënyrë praktike substancionale, që rastet penale të trajtohen në objektin e gjykatës në veri, ndërsa që rastet civile në objektet e gjykatës themelore në jug”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij në kjo marrëveshje është nënshkruar që kryeprokurori të jetë shqiptarë, ndërsa kryetari i gjykatës të jetë serb, ndërsa numri i stafit tjetër administrativ të jetë i përafërt me numrin e banorëve që përfaqësojnë etnitë e caktuara, dhe se me këtë marrëveshje është kërkuar që të shuhen strukturat tjera paralele në veri të vendit.

Ai ka thënë se me arritjen e kësaj marrëveshje fiton drejtësia në vend.

“Me marrëveshjen e arritur nuk ka palë fituese e humbëse. Ka fituar drejtësia. Prandaj konsideroj se kanë fituar të gjitha palët. Kanë fituar të gjithë qytetarët, ka fituar integriteti dhe sovraniteti i vendit tonë”, ka thënë Mustafa.

Gjatë raportimit të tij në Kuvend, Mustafa ka thënë po ashtu se në fazat e mëvonshme pritet që të diskutohet për çështjen e të pagjeturve, për kompensimin e dëmeve të luftës, për kthimin e dokumenteve të marra në Serbi, etj.

Marrëveshjen për drejtësi të arritur në Bruksel e kanë mbështetur PDK dhe LDK. Mirëpo Enver Hoxhaj nga PDK ka thënë se për shkak të përvojave të kaluar me Beogradin dyshon për atë se këto marrëveshje do të zbatohen nga Beogradi.

Në anën tjetër më e fuqishme në kundërshtim ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se me të bëhet ndarje e sistemit të drejtësisë.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje ka thënë se vet kryeministri Mustafa nuk po i beson fjalëve të tij për atë se çfarë është arritur në Bruksel, e lëre më që kjo të besohet edhe nga deputetët e kuvendit të Kosovës.

Ai edhe njëherë theksoi faktin se deputetët nuk e dinë se çfarë përmban teksti i marrëveshjes, përderisa ka pyetur Isa Mustafën se: Në këtë marrëveshje a thuhet Isa Mustafa Kryeministri i Kosovës, apo është marrëveshje e arritur personalisht?.

“Flamuri i Kosovës nuk është aty, ai bien kjo tash që Isa Mustafa nuk e pranon flamurin e Kosovës. Nashta. Po dorën në zemër aty Brukseli nuk po e qetë flamurin e Kosovës sepse Brukseli nuk e konsideron Kosovën si shtet, edhe rrjedhimisht Isa Mustafa aty nuk po shkon as si kryeministër i Kosovës po as si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Ai i ka rikujtuar Mustafës marrëveshjen e arritur me 10 shtator mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes, duke e kritikuar Isa Mustafën se e ka harruar atë marrëveshje dhe pikat e saj, pasi sipas Ymerit dialogu me Serbinë tash po i duket mirë i përgatitur.

Ndërsa kjo marrëveshje e tanishme me palën serbe për gjyqësorin dhe drejtësinë në vend, sipas Ymerit është shkelje e drejtpërdrejtë në shtetësinë e Kosovës, si dhe në kushtetutën e saj.

“Me këtë po shkelet jo vetëm kushtetua por edhe ide e funksionimit të një Republike e në këtë rast të Republikës së Kosovës. Prandaj ju ftoj që këtë marrëveshje ta çkyni ose ta hani siç ka qenë rasti me marrëveshjen e 10 shtatorit dhe ta ktheni, ose parimet e marrëveshjes së dhjetë shtatorit. T’i qëndroni besnik nënshkrimit tuaj që keni vendos me dhjetë shtator zotëri Mustafa”, ka thënë Ymeri.

Edhe Fatmir Limaj nga Nisma, ka ngritur shqetësimet e tij për këtë marrëveshje, duke folur për atë se cilat do të jenë kompetencat që do të kenë gjykatat dhe gjykatësit në veriun e vendit.

“Ajo çka neve na shqetëson janë kompetencat territoriale. Gjykata shikohet mbi bazën e kompetencave territoriale, pjesa veriore e Kosovës po frikohemi që në të ardhmen ta shihni jo kryetari i gjykatës së apelit por askush atje më asgjë nuk mund të bëj përveç atyre që janë atje. Do ta zbatojnë ligjin e Kosovës, po besoj që po . Do të bëj betimin te presidenti. Mu këto nuk më bëjnë përshtypje”, ka thënë Limaj.

Ai mes tjerash ka thënë se me këtë marrëveshje vetëm sa po fillon të behet ndarja brenda shtetit të Kosovës.

“Si zbatohet ai ligj, kush ndiqet, si ndiqet, çka bahet. Prandaj ky është problem për të cilin besoj që do të na shfaqet. Me gjithë këtë përpjekje, bile disa i kam pa në mënyrë ekzaltuese të arsyetimit të kësaj marrëveshje mos u ngutuni, mos u boni euforik sepse po bëni diçka që koha ka me tregu që është gabim. Kjo është rrumbullakim i ndarjes , asaj që ka me na ardh mas katër a pesë muajve nëse shkohet me këtë logjik”, ka thënë Limaj.

Mungesa e flamurit të Kosovës në takimet që u zhvilluan në Bruksel, kundrejt atij të Serbisë dhe Bashkimit Evropian ishte një pikë tjetër e cila nxiti debat në kuvendin e dhe u cilësua si mungesë e madhe dhe si një arsye më shumë për të kontestuar atë që Kosova në këtë dialog nuk po përfaqësohet si shtet. (rtk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>