Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) në largim, Bajram Rexhepi, i ka ftuar qytetarët e Kosovës mos ta marrin rrugën e migrimit ilegal drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të bien viktimë e grupeve kriminale të trafikimit.Ai ka thënë se asnjë prej vendeve të BE-së nuk japin azil për qytetarët e Kosovës sepse këtë vend e konsiderojnë të sigurt. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Rexhepi ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po bien pre e dezinformimeve edhe nga mediet. “Për shumicën e shteteve të BE-së Kosova është vend i sigurt dhe është në listën e bardhë.
Pra, nuk ka as diskriminim politik e as etnik dhe situata e sigurisë është e mirë. Kështu që, gjasat për të fituar dikush nga qytetarët e Kosovës azilin janë gati të pamundshme, mos të them 100 për qind të pamundshme, por me promil nuk ka kush që e fiton azilin. Ato vende nuk japin azil sepse nuk kanë arsye. Kështu që, qytetarët janë viktima të dezinformimeve dhe të mashtrimeve të ndryshme”, ka thënë Rexhepi. Ai ka thënë se shteti i Kosovës po bën çka është e mundur në ndjekjen e individëve që po organizojnë trafikimin e emigrantëve.
Sipas tij, grupet kriminale që bëjnë transportimin nëpër territorin e Serbisë deri në Hungari janë multietnike. Prandaj, për këtë ai ka fajësuar edhe neglizhencën e autoriteteve serbe. “Ne kemi kërkuar nëpërmjet EULEX-it dhe Brukselit t’i bëjnë presion Serbisë sepse këta trafikantë pa bashkëpunëtorët e tyre në Serbi nuk do të mundin për t’i transportuar migrantët prej territorit të Serbisë në Hungari. Tekefundit, ky është edhe obligim i Serbisë, sepse të gjithë këta migrantë ilegalë kalojnë prej territorit të Serbisë në një vend të zonës Shengen qysh është Hungaria dhe ata e kanë obligim për të ndërmarrë masa që t’i ndalojnë këta njerëz”, është shprehur Rexhepi, duke shtuar se deri më tani autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë veprim në këtë drejtim.
“Serbia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për ta parandaluar këtë fenomen. Asnjëherë deri tash nuk ka pasur ndonjë veprim për të bashkëpunuar në parandalimin e trafikimit ilegal me migrantë”, ka thënë Rexhepi.
Kreu i MPB-së ka bërë me dije se ky fenomen e dëmton rëndë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. “Ky fenomen natyrisht se Kosovën e dëmton në procesin e integrimit evropian, sidomos në liberalizim të vizave ka ndikim direkt. Pavarësisht se ne gati të gjitha kushtet teknike i kemi plotësuar, numri i madh i azilkërkuesve e vonon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Rexhepi.
***
Të nderuar bashkëkombës,
kjo që thotë këtu z Rexhep Bajrami është 100000% e vërtetë. Një shqiptar më tepër ka shanse që gjatë jetës së tij të goditet 4-5 herë nga rrëfeja se sa të fitoje azil në Bashkimin Evropian dhe në shtetet tjera evropiane që nuk janë anëtare të BE.
Mos lejoni të bëheni kurban të kriminelëve të fëlliqët profesioni i të cilëve është “trafikimi ilegal i qenieve njerëzore, lëndëve narkotike, cigareve, alkoolit”.
Këta kriminel, në bashkëpunim me Agjenci Turistike (Agjenci të Autobusëve), mediume të internetit etj për të fituar lek nga ju, bëjnë gjithçka që të ju bindin që ju të lëshoni trojet, kinse gjermanët, francezët etj ju presin me llokum dhe petulla. Jo, jo, do të trajtoheni si kafshët nëpër llogore dhe burgje dhe do të riatdhesoheni.
Askush nuk ka nevojë për ju, ato shtetet vetë kanë probleme të mëdha me papunësinë për qytetarët e vendit dhe me emigrantët që veç jetojnë aty me dekada. Ju vetëm do të harxhoni edhe ato pak lek dhe do të ktheheni të turpëruar dhe më tepër të varfëruar.
Azili u jepet vetëm disa grupeve të ikur nga Afrika e jo qytetarëve të Ballkanit nga Shqipëria, Kosova, Serbia, FYROM-i, Mali Zi, Bosnja Hercegovina.
E kuptoj se shumë prej jush janë shumë të varfër nga xhepi, por mos lejoni të ju rrejnë kriminelët sepse atëherë tregoheni se truri juaj nuk punon.
Aurel Dasareti