Intervistë me akademikun Rexhep Qosja (2)
Ligji i ri e dëmton rëndë Akademinë
“Kosova Sot”: Politika e ka kapur shtetin në çdo cep. Nuk e ka kursyer as Akademinë tonë të kapur. Sipas jush, si mund të depolitizohet ASHAK-u?
Rexhep Qosja: Kam shpresuar se Ligji i ri, të cilin në prag të Vitit të Ri e miratoi Kuvendi i Kosovës, do të parandalojë së pari politizimin, partisimin e plotë të Akademisë e, mandej, edhe të gjitha mënyrat e mjetet e privatizimit të saj, që kanë sjellë një poshtërim të saj. Por, Ligji i ri është ligj që lejon privatizim edhe më tepër se ligji i mëparshëm. Ai ishte ligj i bërë jo siç i duhet Kosovës, por siç i duhet atij grupi, që e ka uzurpuar dhe po e përdor Akademinë që më tepër se njëzet vjet. Ai ishte ligj me të cilin nuk mbrohen interesat shkencore, artistike e kulturore të Kosovës, por leverditë e atij grupi dhe të atyre heshtakëve që i shërbejnë atij grupi! Ligji në fjalë për Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës është bërë duke u marrë parasysh Ligji për Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kroacisë, por duke hequr prej tij çka nuk i ka pëlqyer këtij grupi dhe duke shtuar në të çka do t’i shërbejë këtij grupi partiak. Kështu, fjala vjen, derisa në Ligjin e Akademisë kroate as mosha më e shkuar nuk bëhet pengesë për pranim në Akademi, në Ligjin për ASHAK-un mosha mbi 65 vjet bëhet pengesë për t’u pranuar në Akademi! Prej të gjitha republikave jugosllave, vetëm Akademia sllovene e ka bërë moshën 75- vjeçare moshë mbi të cilën nuk mund të pranohesh në Akademi, kurse kjo e Prishtinës atë moshë e ka zbritur në 65 vjet! Dhe, pse e ka zbritur? E ka zbritur aq për të penguar pranimin në Akademi të atyre studiuesve shkencorë e krijuesve letrarë e artistikë që grupi mafioz nuk i duron dhe nuk i ka lejuar të pranohen as deri sot! E kush është ai që nuk e di se mosha midis 60- 75 vjetëve është mosha më e mirë për krijimtarinë shkencore dhe është kështu mosha më e mirë për shkak të përvojës së shtuar, për shkak të dijeve të reja të fituara me punë të gjatë, për shkak të lidhjeve të reja me studiues të vjetër e të rinj.
Injorimi i Shqipërisë
Në Ligjin e ri për ASHAK-un është një nen në të cilin flitet për bashkëpunim me akademitë në rajon e në botë. Në vend që të theksohet nevoja e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në këtë Ligj Akademia e Shqipërisë nuk përmendet fare! E si të përmendet? Anëtari kryesor politik i kësaj akademie, Isa Mustafa, u dëgjua para disa javësh kur tha: “Kosova s’ka nevojë për kurrfarë mësimesh prej Shqipërisë”! Klani që në Akademi e ka pranuar për arsye politike e jo për zero meritat e tij shkencore do ta ketë kuptuar porosinë: me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mund të bashkëpunohet aq sa mund të bashkëpunohet me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Republika Srpskës. Kur kësaj “mençurie” të akademikut politik, Isa Mustafës, t’ia shtojmë mosdurimin e shprehur me shkrim të kryetarit të sotëm të Akademisë për akademikët e Shqipërisë atëherë mund të kuptojmë se pse në këtë nen të ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk thuhet as një e vetme fjalë për bashkëpunimin mes dy akademive kombëtare shqiptare! Por këto urrejtje e marrëzira të kontrabanduara në Ligjin në fjalë nuk janë përmbysjet e vetme që e kanë pushtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. ASHAK-un mund ta shpëtojnë prej gjendjes në të cilën e ka katandisur LDK-ja dhe Grupi uzurpues vetëm në qoftë se kuadrot shkencore në fakultetet e Kosovës, bashkë me krijuesit në shoqatat e krijuesve, i bashkojnë mendimet, i angazhojnë edhe studentët të ngrenë zërin kundër privatizimit dhe poshtërimit të tillë të Akademisë sonë. Ndryshe partisimi, korrupsioni, plagjiaturat, padrejtësitë ndaj kuadrove shkencore, diletantizmi shkencor e artistik, intelektualët shpirtshitur, të zgjedhurit me konflikt interesi si Isa Mustafa do të bëhen fati i përhershëm i ASHAK-ut!…
(Më gjerësisht mund t’a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)