Qeveria e Kosovës mund të inicojë së shpejti procedurat e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se fillimisht kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, duhet të formojë grupin i cili do të analizojë vendimin e muajit dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë asociacion.
Në atë vendim, thuhej se disa parime të marrëveshjes për Asociacionin të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Më pas, sipas Gecajt, do të formohet ekipi menaxhues, në përbërje dy serbë nga veriu dhe dy nga jugu të cilët bashkë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe personelin e misionit të OSBE-së, do të punojnë në hartimin e statutit të Asociacionit.
“Statuti i Asociacionit do të procedohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Edhe në të ardhmen, nëse do të ketë amendamente, të gjitha do të jenë lëndë shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gecaj.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Mbi bazën e saj, më pas ishte arritur edhe marrëveshja tjetër për themelimin e këtij Asociacioni më 25 gusht të vitit 2015, por parimet e të cilës, nga Gjykata Kushtetuese, u konstatua se bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Andaj, tani mbetet që çështja e themelimit të Asociacionit të procedohet tutje përmes statutit.
Ky Asociacion, parashihet të ketë në vete përfaqësues të dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, por sipas zotimeve të Qeverisë së Kosovës, nuk do të ketë edhe kompetenca ekzekutive.
Lista Serbe, paraqit aktualisht subjektin më të fuqishëm politik që përfaqëson komunitetin serb në këto komuna dhe në institucionet qendrore të Kosovës.
Lubomir Mariq, nga Lista Serbe, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “çështja e themelimit të Asociacionit nuk është përmbushur sipas marrëveshjes së Brukselit”.
Po ashtu, ai rikujton se “themelimi i këtij Asociacioni ishte pika e parë edhe e marrëveshjes për koalicionin qeverisës”, që Lista Serbe ka lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas pritjeve të përfaqësuesve të Listës Serbe, tani me përmbylljen e procesit zgjedhor në Serbi dhe sidomos pas formimit të qeverisë së re atje, mund të pritet që Prishtina dhe Beogradi mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit të bëjnë hapin tutje drejt themelimit të këtij organi.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kundërshtuar ashpër nga opozita në Prishtinë e cila po e konsideron atë si hap të parë drejt ndarjes etnike dhe bosnjëzimit të Kosovës. (rel)