Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se të mërkuren në Bruksel pritet të mbahet një takim i shefave të grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.
Takimi i së mërkurës u bë i mundur me përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë për të nëntën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.
Forcat paqerujatëse të NATO-s zgjeruan patrullimet në zonë të hënën dhe thanë se kanë biseduar më qeverinë dhe udhëheqësit lokal serbë për uljen e tensioneve.
Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se serbët në veriun e Kosovës refuzuan një ofertë të trupave të KFOR-it që të përkujdesen për vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.
voa