Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por nuk pati ndonjë nënshkrim nga palët.
Pas rreth 12 orë bisedimesh që i cilësoi të vështira, zoti Borrell tha se palët janë pajtuar të respektojnë të gjitha pikat e planit evropian për të cilin janë pajtuar që më 27 shkurt në Bruksel.
“Kosova është pajtuar të nisë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë, negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë si çështje urgjente deklaratën për personat e zhdukur siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zoti Borrell.
Zoti Borrell tha se marrëveshja do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian.
“Dua të theksoj se për të hapur rrugën drejt arritjes së synimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Dhe kjo marrëveshje, ky aneks që është pjesë integrale e marrëveshjes, është një hap i rëndësishëm përpara për ta bërë atë realitet”, tha zoti Borrell.
Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi
- Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.
- Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, shpejt dhe në mirëbesim.
- Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, që do të pasqyrojnë detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Agjenda e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë detyrimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.
- Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
- Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një shkallë të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
- Palët bien dakord për krijimin e një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.
- Për të zbatuar nenin 9-të, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
- Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
- Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.
- Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
- Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
- Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i detyrimeve nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të deritashëm, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.
“Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha zoti Escobar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër është “njohje de facto”, ndërsa kritikoi presidentin serbe Aleksandar Vuçiç se po i shmanget nënshkrimit të saj.
“Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksine zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin që ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur” dhe se brenda 30 ditësh do të formohet një komision i përbashkët i kryesuar nga BE-ja, për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes.
“Për ne është shumë e rëndësishme që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si detyrim me përparësi dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha presidenti serb.
Nuk është vetëqeverisje, është “vetmenaxhim”, tha kryeministri Kurti i pyetur rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se në planin themelor evropian thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen.
“Ka rend kronologjik të marrëveshjeve, nuk ka hierarki logjike dhe ne kësaj i përmbahemi”, tha kryeministri Kurti.
Udhëheqësit e të dyja vendeve u pajtuan më 27 shkurt me planin 11-pikësh të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Ballkan duke shfrytëzuar ndikimin e saj historik në Serbi.
voa