Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini ka ftuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë (01.02) në Bruksel, për raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, sërish ka ftuar në zyrën e saj, udhëheqësit politik të Prishtinës dhe Beogradit, për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Në takimin e radhës (01.02)Prishtinë – Beograd do të në Bruksel do të marrin pjesë të dy kryeministrat ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Mediet në Serbi, shkruajnë se në këtë takim do të marrin pjesë sërish edhe dy presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti Tomisllav Nikoliq. Mirëpo, në Prishtinë, ende nuk konfirmohet pjesëmarrja e presidenti të Kosovës Thaçi. Ky i fundit dy ditë më parë shkroi në rrjetin social, se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Thaçi.
Nga ana e saj ministrja e dialogut në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për mediet lokale se takimi i një shkurtit në Bruksel, do të jetë në linjën e rikonfirmimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Janë tri çështje që do të diskutohen dhe të cilat po prolongohen nga Serbia. Është çështja e energjisë elektrike, përkatësisht pavarësimi i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës i njohur si (KOSTT), që po prolongohet nga ana e Serbisë. Është marrëveshja për drejtësinë dhe po ashtu edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Edita Tahiri.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga lista “Srpska”, ka kohë që kanë pezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës për shkak të shkarkimit të një ministri serb nga kryeministri Isa Mustafa dhe për shkak të “mosgatishmërisë së Prishtinës zyrtare për të formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe”, argumentojnë ata.
Zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, thotë se përfaqësuesit e serbëve mund të mendojnë të kthehen në institucione, vetëm nëse ka përparim: “në çështjen e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Nuk e di nëse në takimin e Brukselit do të bisedohet për kthimin e ministrave serb në institucionet e Prishtinës. Është e rëndësishme për të vazhduar dhe të zbatohet ajo që duhet. Nëse ka një gatishmëri për të zbatuar atë për të cilën kemi dalë nga institucionet, atëherë, ne mund të mendojmë për kthim, e nëse nuk ka angazhim, unë nuk shoh se si”, citojnë mediet lokale serbe zotin Stojanoviq.
Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij, ka ftuar përfaqësuesit e serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, sepse vetëm aty mund të kontribuojnë për komunitetin e tyre.
“Unë dëshiroj që edhe njëherë të përsëris ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në qeveri dhe kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim. Dëshiroj po ashtu të përsëris se qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu edhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces”, tha kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e fundit të qeverisë. Sipas kryeministrit, ky proces do të jetë i hapur dhe transparent.
Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u shkaktuan pas tentimit të Serbisë që ta fusë një tren në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Prishtinës dhe pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një flet-arresti të Serbisë.
U desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini, që të thërrasë në Buksel nivelin më të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet. Takimi i parë i këtij niveli u zhvillua më 24 janar dhe ai u cilësua si mjaft i vështirë nga të dyja palët, por që sipas zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd, u arrit të ulen tensionet e kohëve të fundit. (dw)