Buxheti dhe liberalizmi nuk ruajnë “paqen” mes pushtetit dhe opozitës

parlamenti lotsjellesMiratimi i Buxhetit të Kosovës për vitin 2016 dhe i disa ligjeve nga procesi i liberalizimit të vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian, nuk pritet t’i bashkojë në një sallë pushtetin dhe opozitën.

Mungesa e konsensusit midis pushtetit dhe opozitës rreth këtyre ligjeve të cilësuar të një rëndësie të veçantë, mund të përsëris skenat e seancave të 23 dhe 24 tetorit, kur koalicioni qeverisës, pa opozitën, mbajti mbledhjen në një sallë të improvizuar të Kuvendit të Kosovës, ngase opozita kishte bllokuar vazhdimin e punimeve.

Teuta Rrusta, koordinatore e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se kjo parti politike nuk do të lejojë zhvillimin normal të jetës parlamentare përderisa kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të mos i anulojnë marrëveshjet me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

“Nëse nuk tërhiqen nënshkrimet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin ,e me ç’rast Malit të Zi i jepen mbi 8 mijë hektarë tokë, atëherë nuk do të ketë vazhdim normal të jetës institucionale. Ne kemi ndalur përkohësisht protestën në Kuvend vetëm sa për t’u zhvilluar dy seanca solemne dhe ajo për MSA-në, por protesta do të vazhdoj, madje edhe më fuqishëm”, ka thënë Rrusta.

Ndërkohë, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitajka thënë se organet e kësaj partie politike janë në fazën e shqyrtimit të projek-tbuxhetit të miratuar nga qeveria.

Për dallim nga Vetëvendosje e cila ka qëndrim të prerë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk dihet nëse do të jetë e pranishme në seancën në të cilën do të shqyrtohet për miratim buxheti për vitin e ardhshëm.

“Departamenti i ekonomisë në kuadër të AAK-së është duke analizuar projekt-buxhetin e miratuar nga qeveria në mënyrë që të dalë me një analizë lidhur me avantazhet dhe mangësitë eventuale që mund t’i ketë ky projekt-buxhet. Nuk e di se cili do të jetë votimi, sigurisht që kryesia e partisë do të vendos”, ka theksuar Nitaj.

Ndërsa për buxhetin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ende dilema rreth pjesëmarrjes në seancë, sa u përket ligjeve për liberalizimin e vizave, edhe ky subjekt politik, sipas zëdhënësit Muharrem Nitaj e ndërlidhë praninë e saj me plotësimin e kërkesave nga opozita.

“Është e mundur që AAK do të vazhdojë kundërshtimin e saj pavarësisht se cilat do të jenë prioritetet e Kuvendit të Kosovës, përfshirë këtu ndoshta edhe ligjet që eventualisht mund të jenë obligative në procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shumica parlamentare duhet të reflektojnë për kërkesat e opozitës që të zhbllokohet puna në Kuvend”, ka thënë Nitaj.

Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet mes tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Për të dy këto marrëveshje, opozita kërkon që të anulohen si kusht për zhbllokimin e Kuvendit.

Madje, në pesë seanca rresht opozita përdori edhe gazin lotsjellës për të penguar punimet e Kuvendit.

Përderisa Kryesia e Kuvendit, në një rast, futi edhe sigurimin e Kuvendit në sallë për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve, kjo gjë nuk solli ndonjë rezultat dhe në fund, shumica, pa opozitën ishte detyruar që mbledhjen ta mbajë në një sallë të improvizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>