Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç

Countryman“Problemi kryesor në dialog dhe përparimi drejt BE-së janë ngadalësia e qeverive në Beograd dhe Prishtinë dhe mungesa e vendimeve të vështira”. Këtë e vlerësoi për RTK Thomas Countryman, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit. Ai nuk pret ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor as pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-ve. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në mungesën e reformave dhe vullnetit politik të të dyja palëve.

 

Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën, Thomas Countryman, vlerësoi për Radio Televizionin e Kosovës se nuk sheh ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-ve. Problemi kryesor, sipas tij, qëndron në ngadalësinë e qeverive në Beograd dhe Prishtinë.

“Sinqerisht, nuk mendoj se zgjedhja e Donald Trump-it do të sjellë ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Problemi thelbësor nuk qëndron tek BE-ja apo Uashingtoni, por tek qeveritë në Beograd dhe Prishtinë, të cilat nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmirësuar dialogun apo përparimin drejt BE-së. Për shembull, qeveria e Serbisë mirëpret zgjedhjen e zotit Trump, duke besuar në një simpati më të madhe për pozitën serbe. Por, unë nuk jam i bindur se qeveria e Serbisë është e gatshme të marrë vendime të vështira”, thotë ai.

Sipas Countryman, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd, vendimet e vështira lidhen me reformat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, një gjyqësor të pavarur, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit.

“Unë nuk shoh që qeveria serbe të ndërmarrë hapa seriozë në këto fusha,” thekson ai.

Ish-diplomati amerikan Countryman nënvizon se ndryshimet në Ballkanin Perëndimor nuk ndodhin shpejt.

“Edhe pse me çështjet e Ballkanit merrem herë pas here gjatë 40 viteve të fundit, mund të them se asgjë nuk ndodh shpejt. Nuk pres ndryshime radikale. Nuk ndjek detajet e politikës së brendshme të Kosovës, por është fakt se qeveria në Prishtinë është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të brendshme”, deklaron ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit.

Si shembull, ai përmendi çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që, siç tha ai, ka implikime kushtetuese për Kosovën.

“E kuptoj që kjo është një çështje e vështirë dhe që ka implikime kushtetuese për Kosovën, por nuk mund të pranoj se nuk ka mundësi për të diskutuar se si të realizohet kjo në një mënyrë domethënëse, pa cenuar Kushtetutën e Kosovës”, thotë  Countryman.

Duke folur për perspektivën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Countryman thekson rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, por nuk është optimist se qasjet e të dyja palëve do të ndryshojnë shpejt.

“Asgjë nuk do të ndodhë shpejt. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i rëndësishëm, dhe implementimi i saj, duke respektuar të drejtat e Kosovës të përcaktuara në marrëveshjet e deritanishme, duhet të jetë prioritet për qeverinë e Serbisë. Megjithatë, nuk jam optimist se ndonjëra palë do të ndryshojë shpejt qasjen e saj”, thekson ish-diplomati amerikan.

Countryman konkludon se përparimi në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kërkon përkushtim dhe vendime të guximshme nga të dyja palët, çka aktualisht mungon.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>