Daniel Server: UNMIK-u nuk është në gjendje të bllokojë asgjë, UNMIK-u ka pak njerëz në Kosovë, që kryejnë punën e një sekretarie.
DW: Prof. Server, ju sapo organizuat në qendrën tuaj një diskutim lidhur me pyetjen a do të hyjë Kosova në Bashkimin Evropian. Si mendoni ju, si mund të kryhet kjo kur në Kosovë ekzistojnë ende misione ndërkombëtare? Ne e dimë që EULEX-i do t’i japë fund misionit, por UNMIK-u mund të bllokojë.
Daniel Server: UNMIK-u nuk është në gjendje të bllokojë asgjë. UNMIK-u ka pak njerëz aty që kryejnë punën e një sekretarie.
DW: Por rezoluta 1244 është problemi, sepse pa ndryshuar rezolutën nuk mund të kryhen ndryshimet e dëshirueshme në Kosovë.
Daniel Server: As 1244 nuk është problem. Sepse 1244 thotë qartë se duhet marrë vendimi për statusin përfundimtar. SHBA dhe pjesa më e madhe e evropianëve dhe më shumë se njëqind shtete të tjera kanë marrë vendimin për statusin përfundimtar. Sipas mendimit tim, pengesa e vetme është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së dhe vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit.
DW: Po vetoja e Kinës?
Daniel Server: Po, nuk e di nëse Kina do ta përdorte veton e vet, nëse këtë nuk do e bënte Rusia.
DW: A ju kujtohet që Kina krijoi po ashtu probleme gjatë kohës së bombardimeve më 1999?
Daniel Server: Po, por nuk besoj se Kina do të krijojë probleme. Pengesa e vetme është Rusia. Pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk përbëjnë pengesë të vërtetë, sepse bashkëpunimi i tyre ka qenë pjesë e procesit të afrimit të Kosovës me BE. Ato nuk bllokojnë. Nuk është për shembull si në rastin e Greqisë që ka bllokuar Maqedoninë. Asnjë nga pesë vendet nuk e ka bllokuar Kosovën në BE. Ato të gjitha bashkëpunojnë me Prishtinën, kanë përfaqësues të lartë në Prishtinë, për shembull Greqia ka një ambasador aty. Dhe ministrja e Kosovës për integrimin Evropian sapo tha se këto pesë vende nuk do të ngadalësojnë procesin e integrimit të Kosovës në BE. Pra pengesa e vërtetë është Rusia. Dhe çelësi për të bindur Rusinë është Serbia. Serbisë i është thënë në mënyrë të përsëritur, se nuk do pranohet në BE nëse nuk rregullon statusin përfundimtar të Kosovës.
Strategjia e BE-së për zgjerimin e publikuar në shkurt përmban si klauzolë se Serbia duhet të bjerë dakord të nënshkruajë juridikisht një marrëveshje të detyrueshme, që rregullon statusin e Kosovës. BE është duke i thënë Serbisë, më mirë ta zgjidhësh tani këtë çështje se sa vonë, sepse nëse nuk e bëni këtë atëherë ne do ju bllokojmë rrugën për në BE. Kjo është një gjë për të cilën Vuçiç thotë, se nuk i është kështu. Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam folur me njerëz që ia kanë thënë atij këtë gjë. Meqenëse ai nuk e pranon, tani po i thuhet publikisht. Probemi ekziston, sepse edhe nëse Serbia i thotë Rusisë “ne nuk kemi asnjë kundërshtim, ne do e zgjidhim këtë çështje”, unë nuk jam i sigurt se Rusia do pranojë. Pra, e përsëris pengesa e vërtetë është Rusia, jo UNMIK, jo 1244, etj.
DW: Rusinë e njohim për qëndrimin që mban. Si është puna e Turqisë aktualisht? Çfarë janë duke kërkuar ata në Kosovë?
Daniel Server: Unë gjithnjë kam pas thënë gjithnjë se nuk kam takuar asnjë kosovar që të ketë shkuar në xhami. Tani takova Muftiun, kështu që nuk e them dot më këtë. Sigurisht që ka ndikim mysliman në Kosovë, dhe mes tyre ka njerëz radikalë. Por qeveria po merret me ta dhe e ka situatën nën kontroll. A do kenë gjithnjë sukses? Jo, por ata janë duke u marrë me këtë punë. Unë nuk shoh ndonjë problem këtu. Për mua problemet më të mëdha janë korrupsioni, sundimi i ligjit.
DW: Ekzistojnë ndryshime në mënyrën se si e shikon BE-ja Kosovën dhe se si e shikon SHBA?
Daniel Server: Ata kanë të njëjtin qëllim në Kosovë dhe këtë e kanë bërë të ditur: Anëtarësinë në NATO dhe në BE. Bashkimi Evropian ka ngecur me punën e konsensusit për njohjen e Kosovës. Që do të thotë se BE ka vështirësi të veprojë vrik. Bashkimi Evropian nuk është një qeveri e vetme, kështu që ka probleme në koordinimin e brendshëm. BE ka influencë shumë të madhe në Kosovë. Kur BE dhe SHBA ushtrojnë presion në një drejtim të caktuar atëherë gjërat ndodhin. Kur fillon BE dhe SHBA të kenë këndvështrime të ndryshme, atëherë nuk funksionojnë mirë gjërat. Por, në Kosovë ka shumë rrallë diferenca midis BE dhe SHBA. Amerika do që Kosova të përgatitet për t’u futur në BE. Amerika luan një rol më të madh kur bëhet fjalë për forcat e armatosura të Kosovës, anëtarësinë në NATO. Por këtu nuk kemi të bëjmë me diferenca, por me ndarjen e punëve.
DW: A prisni të ketë ndryshime në politikën amerikane për Kosovën?
Daniel Server: Unë nuk pres ndryshime. Por nuk mund të jemi kurrë të sigurt.
Daniel Server është profesor për menaxhim konfliktesh në Qendrën për Marrëdhëniet Ndëratlantike të Universitetit John Hopkins në Uashington.