Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk pritet të procedohet as këtë javë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Pavarësisht kërkesave nga faktori ndërkombëtar që institucionet e Kosovës të përmbyllin këtë çështje gjatë këtyre ditëve, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, do të kërkojnë edhe një rast tjetër, për të shmangur votimin e demarkacionit në këtë fazë, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme në Kuvend.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është në Bruksel dhe deri në ditën e enjte nuk do të jetë në vend. Sipas tij, kryeministri Mustafa pas kthimit nga Brukseli do të ndërmarrë veprimet e duhura për këtë çështje.
“Është marrëveshje e palëve në koalicion që ta procedojmë një projekt të tillë, pra çështjen e demarkacionit. Ata do ta bëjnë dhe ketë do ta bëjnë bashkë, por tash, konkretisht në cilën ditë, nuk mund ta them unë”.
“Mbetet të shihet, është çështje e marrëveshjes. Kur të kthehet kryeministri Mustafa do të shohim se cilat janë informacionet që do të na i sjellë dhe mandej në bashkëpunim me palët e koalicionit do të ndërmerret një hap i duhur pozitiv në çdo aspekt”, tha Abdullahu.
Zëdhënësi Abdullahu tha po ashtu se kryeministri Mustafa, po qëndron në Bruksel në përpjekje që t’i bindë zyrtarët në Bruksel që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të merret liberalizimi me kusht.
Sipas këtij propozimi, nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush këtë kriter, asaj do t’i hiqej liberalizimi dhe do t’i kthehej regjimi i vizave.
“Ky është një lloj projekti, me të cilin do të shohim se çka do të ndodh më konkretisht, nuk mund të paragjykojmë se çka do të jetë përgjigja e Brukselit, por ka shenja pozitive në ketë aspekt”,tha Abdullahu.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi dhe deputetët janë në pritje të procedimit të marrëveshjes së demarkacionit nga qeveria, duke qenë se, siç thotë ai, me këtë çështje janë lidhur shumë procese të rëndësishme të Kosovës.
PDK-ja, theksoi Pajaziti, i ka paraqitur tashmë qëndrimet e veta dhe partneri i koalicionit, në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka përkrahjen e duhur. Por, sipas Pajazitit, tashmë është koha kur kryeministri Mustafa duhet të veprojë dhe ta procedojë marrëveshjen për ratifikim në Kuvend.
“Në po presim që kryeministri të merret tashmë jo vetëm me partinë e vet, por edhe me përgjegjësitë që i ka, edhe me qeverinë, në mënyrë që ta sjellë marrëveshjen në Kuvend”, u shpeh Pajaziti.
Pajaziti tha se situata aktuale rreth Demarkacionit duhet të zhbllokohet dhe të shkohet tutje.
“Mendoj se kryeministri e ka detyrën e tij, obligimin e tij, si në planin ligjor ashtu edhe në atë kushtetues. Ai e ka pasur mbështetjen e koalicionit që ta çojë këtë çështje përpara. Presim që ai të bëjë punën e tij sa më parë e sa më shpejt”.
“Mendoj se jemi vonë më këto procese dhe nuk e di pse po hymë në këtë fazë ende me dilema për demarkacionin”, tha Pajaziti.
Pas një bisede telefonike që Kryetari i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka zhvilluar me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, javën e kaluar, Veseli kishte deklaruar se janë pajtuar që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend gjatë kësaj jave.
Demarkacioni aktual po kundërshtohet nga opozita dhe një numër i deputetëve nga radhët e partive në pushtet, çka po e pamundëson arritjen e 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.
Çështja e demarkacionit, që u ndërlidh me procesin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Evropian, vitin e kaluar, u ngrit sërish gjatë vizitave në Kosovë të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe senatorit amerikan, John McCain.
Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit në gusht në vitit 2015 në Vjenë. (REL)