Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, e anuloi pjesëmarrjen në takim në Shtëpinë e Bardhë më palen serbe, pas njoftimit për një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi. Nga pala e Kosovës nuk shkon askush.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin me palën serbe, që ishte planifikuar të mbahet në Shtëpinë e Bardhë këtë të shtunë me 27 qershor. Ky takim ishte organizuar nga i ngarkuari amerikan për dialogun Kosovë-Serbisë, Richard Grenell. Sipas kryeministrit Hoti, arsyeja e anulimit të vizitës së tij në SHBA, është situata e krijuar pas njoftimit për aktakuzë nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, si rezultat i aktakuzës së paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi kryeministri Hoti në profilin e tij social. Sot kryeministri Hoti para së të udhëtonte për në SHBA-së, kishte planifikuar të takohej në Bruksel me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe zyrtarë të tjerë evropianë.
Thaçi ndërpreu udhëtimin
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërpreu udhëtimin e tij për në SHBA-së, menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Vet Grenell me 24 qershor, pas anulimit të udhëtimit të Thaçit për në SHBA, tha se ai e respekton vendimin e presidentit. Por theksoi se takimi d otë mbahet dhe se në Uashington e mirëpret kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Vendimin e kryeministrit Hoti që të anulojë vizitën e tij për në SHBA, ku do të takohej me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, e mbështeti kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, partia e të cilit udhëheq me qeverinë. “Për në Uashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë. Por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan”, shkruan Mustafa në Facebook.
“Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet t’i prijë delegacionit. Është e mjerueshme të mendohet e të shkruhet se z. Hoti si kryeministër e ka tani shansin të shkojë e t’i prijë delegacionit, pasi tani nuk është Thaçi për shkak të Gjykatës Speciale. Nuk kemi të bëjmë me z. Thaçi dhe z. Hoti, por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovës”, shkruan Mustafa. Sipast tij, “Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe BE nuk mund dhe nuk duhet të lidhet me proceset dhe procedurat e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale”. Mustafa pohon se pala kosovare në situatën e krijuar duhet të ulet së bashku dhe të kordinohet mes vete.
Pala kosovare duhet të koordinohet
“Para se të takohemi me Vuçiqin, nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashkë e të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”, poho Isa Mustafa.
Të merkurën me (24.06), Zyra e Prokurorit të Specializuar, u dërgoi Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat edhe vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Akuzat e Prokurorisë ende nuk janë konfirmuar
Mirëpo kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili ka afat deri në muajin tetor, ta konfirmojë apo ta hedhë poshtë atë. Kryetari i PDK-se Kadri Veseli, gjatë një konference për medie, i ka quajtur “politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit të Prokurorisë Speciale, ndërsa, e ka cilësuar “veprim të paprecedent, pse prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon”.
“Në këtë deklaratë, prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi”, tha Kadri Veseli.
Qeveria e Republikës që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, konsideron se “askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
dw