Partia e cila po përjeton rënien më të madhe në elektorat, LDK-ja, e cila deri këtu erdhi duke shndërruar veten në vegël të PDK-së dhe ShIK-ut, nuk ka arritur assesi të këndellet pas rezultateve të një sondazhi të fundit i realizuar nga kompania “UBO Consulting”. LDK-ja, e cila s’ka mbetur më shumë se një patericë e Kadri Veselit, ka ripërtypur akuza e shpifje tashmë të njohura, që nuk e shpëtojnë dot nga humbja e vazhdueshme e përkrahjes nga qytetarët.
Siç ka bërë me dije vetë kompania UBO Consulting, sondazhi është realizuar me metodologjinë e OMNIBUS-it, dhe në këtë cikël, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi kontraktuar një numër pyetjesh, për të cilat kemi paguar 1.770 euro, me procedura të rregullta bankare dhe në mënyrë krejt transparente (fatura e bashkangjitur). Pyetje të tilla kontraktohen edhe nga subjekte të tjera, dhe nuk ka kurrfarë parregullsie në këtë mes.
Kjo sjellje e LDK-së, duke mos pranuar të vërtetën, por duke iu kundërvënë më veprime historike, nuk është as e re e as e papritur. Në vitin 2013, e drejtuar edhe atëbotë nga Isa Mustafa, kur ky i fundit kandidonte për kryetar të Prishtinës, LDK-ja nuk i pranonte as sondazhet e institutit slloven ‘IFIMES’, i cili e nxirrte fitues kandidatin e VETËVENDOSJE!-s Shpend Ahmetin. Duke mos u marrë seriozisht as atëherë me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej dhe duke u deklaruar se do ta fitonte Prishtinën “me duar në xhepa”, Isa Mustafa dhe LDK-ja i humbën zgjedhjet në kryeqytet, gjë të cilën sot e asaj dite nuk po mund ta pranojnë.
Frazeologjia boshe për politika zhvillimore, nuk e ndihmon dot një subjekt politik që gënjen për hapjen e 120 mijë vendeve të punës, dhe mosrealizmin e premtimit e zëvendëson me arrogancë e sajim të gënjeshtrave të reja. Kurse, deklarimeve bajate e të pavërteta në lidhje me përfaqësuesit e huaj diplomatikë dhe kontakteve të tyre me ne, më së miri iu dha përgjigje Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila erdhi në takim në zyrat tona, tre ditë pasi LDK-ja dhe klani Pronto donin ta paraqisnin organizatën tonë si “terroriste”. E me akuza për kaos, ekzekutime, anarki e vrasje, LDK nuk bën gjë tjetër përveç vetëvrasje politike.
Përpjekja qyqare e LDK-së për të etiketuar, shpifur e akuzuar, nuk do ta ndalë dështimin dhe rënien e mëtutjeshme të kësaj partie të kapur e të kontrolluar nga kokat e krimit në Kosovë. Sikurse nuk e ndihmoi dot as Prokuroria e Policia e kapur duke sajuar raste e duke terrorizuar aktivistët tanë, e as RTK, si mjet propagandues i këtij pushteti kriminal.
Ndonëse LDK mund ta kenë përjetuar shumë rëndë rezultatin e sondazhit të fundit, sondazhi nuk është molotov, armë e as kurrfarë lëndë e rrezikshme, përveçse një mjet jashtëzakonisht institucional, i aplikuar dhe i preferuar në secilin vend demokratik. Por, duket se kjo gjë nuk i bën përshtypje një partie që po e sheh fundin e frikshëm të saj. Këtu duhet theksuar faktin se me gjithë akuzat që LDK drejton ndaj nesh, shumica e përkrahësve të rinj të subjektit tonë vijnë pikërisht nga votuesit e LDK-së, dhe kjo pa dyshim e shqetëson këtë parti, e vetëdijshme për tradhtinë që iu bëri këtyre votuesve (foto e bashkangjitur). Pra, 18.5% e votuesve të LDK-së, sipas sondazhit vijnë tek Lëvizja VETËVENDOSJE! Kjo është dhimbja e vërtetë e LDK-së.
Në fund, Lëvizja VETËVENDOSJE! e fton LDK-në që t’iu japë fund kumtesave me akuza e shpifje, por fillimisht le të publikojë sondazhet në të cilat po thirren, e për të cilat po deklaron se ka rritje të vazhdueshme. Dhe më pas, e ftojmë këtë subjekt, i ftojmë përfaqësuesit e saj, ne debate publike televizive dhe çfarëdo format tjetër, ku diskutohet për sondazhin dhe cilëndo çështje tjetër. (LVV)