Puna përgatitore për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë në Bruksel, është duke vazhduar, thonë zyrtarët e institucioneve të larta të vendit. Sipas tyre, faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte me njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve.
Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidenti i vendit është duke punuar në të gjitha rrafshet për ndërtimin e një Ekipi të Unitetit apo një grupi gjithëpërfshirës, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në fazën, siç e ka quajtur ai, përfundimtare të dialogut në Bruksel. Sipas tij, me grupin e unitetit nënkuptohen përfaqësuesit e partive politike parlamentare.
“Nëse partitë politike parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të arrijnë të gjejnë një konsensus të tillë, që të merren vesh aty dhe të nxjerrin një rezolutë të përbashkët për këtë çështje, aq më mirë. Mirëpo, nëse jo, atëherë pse jo edhe presidenti, si përfaqësuesi më i lartë institucional dhe si përfaqësues i unitetit të popullit dhe i partive politike, mund të krijojë ekipin politik për qëllimin e njëjtë. Kështu që, në cilëndo formë që të bëhet, suksesi është i garantuar. Ajo çfarë është më e rëndësishme, është që të ketë konsensus të gjerë politik për këtë çështje, ndërsa mënyra se si do të ndërtohet kjo, mendoj se është e një rëndësie dytësore”, thotë Çollaku.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se Kuvendi i Kosovës tashmë e ka të miratuar një rezolutë, me të cilët i autorizon krerët institucionalë të Kosovës për dialog me Serbinë.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për krijimin e një grupi gjithëpërfshirës për përfaqësim të vendit në dialogun me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me krerët institucionalë të Kuvendit dhe me presidentin, janë duke ndërtuar një ekip, një strategji të unifikuar, që të rinisë, përkatësisht, që dialogu me Serbinë të hyjë në fazën përfundimtare, duke e afatizuar në kohë dhe që rezultati përfundimtar i tij të jetë njohja e ndërsjellë e të dy shteteve”, thotë Matoshi.
Por, përfaqësuesit e partive politike parlamentare në vend, tashmë kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës apo të unitetit për dialogun me Serbinë.
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër dialogut pa kushte me Serbinë, si dhe kundër asaj që përfaqësimin e Kosovës në dialog ta udhëheqë presidenti Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka mohuar në parim mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës. Megjithatë, sipas tyre, për nivelin e përfaqësimit politik në dialog, fjalën e fundit duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, si dhe ka shprehur mendimin që dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria dhe jo nga presidenti.
Por, Çollaku konsideron se kjo qasje e partive opozitare është e gabuar, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës i përcakton qartë rolet e institucioneve të larta.
“Në këtë rast, dialogu është një çështje e politikës së jashtme dhe Kushtetuta e përcakton qartë që me politikë të jashtme udhëheqë presidenti i vendit. Mirëpo, do të ishte tepër e mirëseardhur në qoftë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kishte ndërgjegje dhe vetëdije të lartë politike, që të arrijë një konsensus të tillë, të gjerë, për një çështje kaq të rëndësishme, siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kështu që, ne e mirëpresim një konsensus të tillë, nëse ai buron nga Kuvendi. Mirëpo, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë sigurisht që Presidenti i Republikës së Kosovë nuk do ta lë peng një proces të tillë për shkak të divergjencave brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, Matoshi thotë se më e rëndësishme është arritja e një konsensusi ndërmjet partive politike parlamentare për dialogun me Serbinë sesa çështja se kush do t’i prijë ekipit në dialog.
“Nuk është shumë e rëndësishme se kush do t’i udhëheqë bisedimet. E rëndësishme është që të ketë një gjithëpërfshirjedhe ne mendojmë se në Ekipin e Unitetit duhet të përfshihet edhe opozita parlamentare”.
Rreth dy muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.
Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave, por në dy takimet e fundit, gjatë këtij viti, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë përfaqësuar Kosovën dhe Serbinë nga pozitat e presidentëve. (rel)