Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur të premten kongresmenin amerikan Eliot Engel, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mbi programin e qeverisë së tij.
Edhe në këtë takim temë kryesore ishte përgjegjësia e Kosovës për të zbatuar zotimin e saj për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar pas takimit, kryeministri kosovar dhe zyrtari amerikan janë pajtuar se krijimi i zyrave të specializuara ka rëndësi të madhe për Kosovën në këtë fazë, pasi dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare, si dhe për të ecur përpara në integrimet euro-atlantike.
Engel vlerësoi lart progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve e të popullit të Kosovës për të ecur përpara.
Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet e tjera në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Kosovës.
Ndër të tjera, Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë zoti Engel po japin për vendin.
/ Top Channel