Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha dorëheqje të enjten dhe u nis për në Hagë për t’u përballur me drejtësinë pasi që është konfirmuar akuza kundër tij e ngritur nga Prokuroria e Posaçme e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Duke publikuar njoftimin për konfirmimin e akuzës, ai tha se dorëheqja është veprim për të mbrojtur integritetin e presidencës.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Ai theksoi se do të bashkëpunojë ngushtë me drejtësinë dhe “nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Prandaj sot më shumë se kurrë ju bëj thirrje e ju lus që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin”.
Zoti Thaçi tha se aktakuza ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij “është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.
“Asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo rishkruaj historinë, Kosova ka qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori. Prandaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar në vend si dhe duke ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.
Prokuroria ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim por, më 24 qershor ajo beri të ditur se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Njoftimi qe publikuar derisa presidenti Thaçi ishte ne rrugë për në Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Qeveria e Kosovës, udhëheqës institucionesh e partish politike reaguan pas konfirmimit të akuzave ndaj zotit Thaçi si dhe drejtuesve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare duke theksuar se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe se lufta e saj duke qenë e drejtë siguroi edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Konfirmohet akuza edhe ndaj Kadri Veselit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është njoftuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.
“Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces”, thuhet në një deklaratë të zotit Vesli që u shpërnda nga partia e tij.
Prokuroria e Specializuar nuk ka bërë të ditur ndonjë njoftim rreth konfirmimit të aktakuzës, njoftimi për të cilën u publikua më 24 qershor, kur prokuroria tha se ka ngritur akuza të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Zoti Veseli, një nga ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është personi i katërt me akuzë të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Të mërkurën prokuroria arrestoi Jakup Krasniqin, ish zëdhënës i UÇK-së, ndërsa Rexhep Selimi, një nga drejtuesit e lartë të saj, u nis të enjten për në Hagë pas njoftimit se është konfirmuar akuza kundër tij.
Në shtator, prokuroria arrestoi Sali Mustafën.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.