Filmi 20 minutësh ‘Home’, një bashkëprodhim Britani – Kosovë, mori çmimin “Filmi më i mirë britanik i metrazhit të shkurtër” në edicionin e 70-të jubilar të Akademisë prestigjioze Britanike të Filmit dhe të Arteve Televizive.
Filmi është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe. Autori i skenarit dhe regjisë së filmit është Daniel Mulloy, ndërsa në rolet kryesore paraqiten Jack O’Connell, Holliday Grainger, Arta Dobroshi e të tjerë.
Filmi trajton temën e refugjatëve të luftës duke vendosur në qendër të tij një familje britanike që largohet nga siguria e këtij shteti për të shkuar drejt një vatre të luftës.
Filmat e regjisorit Mulloy janë fitues të shumë çmimeve në festivale ndërkombëtare. Ai e shkroi skenarin e filmit Home gjatë qëndrimit në Kosovë dhe i frymëzuar siç ka thënë edhe nga familjet e Kosovës që ishin kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian.
Çmimi u prit me entuziazëm në Kosovë. (voa)