Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës zyrtare që po e zhvillon në Mal të Zi, është takuar me homologun e tij malazez, Sërgjan Darmanoviq.
Pacolli raportohet të ketë thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është i pamundur në këtë moment shkaku i raporteve të partive.
“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshja është nënshkruar por kërkojmë mirëkuptim dhe durim”, ka thënë Pacolli pas takimit që ka pasur me homologun e tij malazias, Sërgjan Darmanoviq, raporton KTV.
Pacolli shtoi se Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje strategjike me Malin e Zi dhe të mbajë takime të përbashkëta të qeverive të dy shteteve.
Ndërsa Darmanoviq është shprehur se demarkacioni për këtë shtet është punë e përfunduar.
“Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtare. Siç kam deklaruar më herët, demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer”, ka thënë ai.
Darmanoviq pret edhe njohjen e pakicës malazeze me Kushtetutën e Kosovës si edhe hapjen e pikëkalimit të ri kufitar me Kosovën. (koha)