Ikjet nga burgu, lokalizimi dhe vrasja e Faton Hajrizit dhe pritjet për kthimin e trupit në Kosovë

Faton Hajrizi

I dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në afërsi të Loznicës në Serbi, Faton Hajrizi u vra të premten nga forca policore serbe.

 

Lajmi për vrasjen e tij ishte konfirmuar nga zyrtarë të Serbisë.

 

Faton Hajrizi ishte arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur më 6 korrik.

Për Hajrizin, kjo ishte hera e nëntë që kishte arritur të largohet nga burgu dhe ikja e tij ishte konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

 

Si kishte përfunduar herën e parë në burg?

Tashmë i ndjeri, Faton Hajrizi në moshën 15 vjeçare, derisa ishte duke shkuar në shkollë ishte fjalosur me një ushtar rus, duke ia marrë armën dhe duke e vrarë.

 

Ai kishte thënë se vrasjen e kishte kryer pasi kishte parë që ushtari rus kishte sharë disa shqiptarë.

Hajrizi vite më parë, në një intervistë për Telegrafin kishte folur se si kishte rënë në burg si i mitur dhe se si e trajtonin në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Në fillim kam rënë për vrasje, vepër për të cilën nuk pendohem, pavarësisht që ka qenë pjesë e kontingjentit të ndërkombëtarëve, të NATO-s. Jam në burg që nga janari i vitit 2000 – me një ndërprerje prej katër muajsh – deri në vitin 2006. Mandej kam rënë në janar të vitit 2006 dhe jam dënuar me 25 vite për grabitje dhe vrasje në tentativë”, thoshte ai.

“Kam ikur në vitin 2000 nga burgu, sepse jam mbajtur nga 10 ditë me brekë të letrës, i zhveshur në qeli, si 15-vjeçar. Ka ndodhur që kanë hyrë natën policët e UNMIK-ut e më kanë rrahur. Rasti im ka qenë edhe pak rast politik. Ata mendonin që më ka shti dikush ta bëj atë vepër, por mua s’më ka shti askush. E kam bërë nga urrejtja kur e kam dëgjuar duke folur serbisht. Kam menduar që rusët mund të jenë njëjtë si serbët, gjë të cilën edhe sot e mendoj”, tregonte vite më parë historinë e tij Hajrizi.

 

Hajrizi tregonte se si me dokumente figuronte në Burgun e Lipjanit, e në të vërtetë siç thoshte ai “më mbanin me të mëdhenjtë në Burgun e Dubravës”.

“Ka ardhur një delegacion nga Suedia në vitin 2004, në Burg të Dubravës. Ata kishin menduar që unë jam në Burgun e Lipjanit ndaj kishin shkuar të më kërkonin. Mirëpo, atje i kishin thënë se këtu nuk është dhe se kurrë s’ka qenë. Unë me dokumente pesë vite e gjysmë jam mbajtur në Burg të Lipjanit. Ndërsa, e vërteta është se kam qëndruar në Burgun e Dubravës, me të mëdhenj. Ky është problemi im si Faton Hajrizi, që më ka vonuar në përmirësimin tim si njeri. Jam mbajtur tërë kohën me kriminelë që kanë dhunuar e që kanë vrarë, që kanë shitur lëndë narkotike. Non-stop, si 15-16-17-vjeçar unë kam qëndruar me ta”, thoshte Hajrizi.

 

Vrasja e policit në Serbi dhe plagosja e një tjetri

Pas arratisjes, Faton Hajrizi ishte shfaqur disa herë në TikTok. Madje, në njërën prej tyre kishte thënë se “nëse vjen puna me shku në burg do të konfrontohemi keq – dikush ka me pësu rëndë”.

Kapjen e shpejtë të tij e kishte paralajmëruar edhe ministri Xhelal Sveçla.

Megjithatë, Hajrizi, tashmë i ndjeri thoshte se nuk ndodhej në Kosovë. Në një thirrje telefonike në RTV Dukagjini, që pretendonte se është Hajrizi thoshte se nuk është në Kosovë e as në Ballkan.

Ai thotë se është në vendet perëndimore.

Por, një ditë pas, në orët e para të mëngjesit në Loznicë, qytet në perëndim të Serbisë, është vrarë një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur rëndë dhe se i dyshuari u tha se është shtetas i Kosovës.

Siç është bërë e ditur në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, policët rreth orës 00:55 gjatë kontrollit të një veturë në pikëkalimin kufitar Liniçka Shora në afërsi me Bosnje e Hercegovinën, kanë ndalur një veturë të markës “Mercedes” me targa të Tutinit, brenda të cilës gjendeshin dy persona, transmeton Telegrafi.

Gjatë daljes nga vetura, një person ka shtënë me revole, duke e goditur zyrtarin policor serb Nikolla Krsmanoviq (1990) në gjoks, kurse Vjekosllav Illiq (1974) gjithashtu zyrtar policor u qëllua në kraharor – ku më pas sulmuesi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje ishin gjetur dokumente të Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit. Më pas u tha se Faton Hajrizi ia kishte marr dokumentet vëllait.

 

Sipas tij, Hajrizi po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb.

Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

 

 Artan Hajrizi konfirmon vrasjen e vëllait të tij, Fatonit

Artan Hajrizi ka konfirmuar se personi që u vra nga autoritetet serbe, në një fabrikë të braktisur në Loznicë është vëllai i tij, Faton Hajrizi.

Vëllai i të ndjerit gjatë një bisede me RTV21 ka akuzuar autoritetet e Kosovës për mënyrën se si u trajtua si rast.

 

Si ishte gjetur Faton Hajrizi nga policia serbe?

Serbia e kishte shpallur person në kërkim Faton Hajrizin, si i dyshuar për vrasjen e policit. I njëjti tashmë ishte në ndjekje nga Policia atje, të cilët madje kishin përdorë dronë dhe helikopterë.

Zyrtarë në Serbi deklaruan se ai është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça dhe se policia ka marrë një lajmërim nga një banor i fshatit Trbushnicë të cilit Fatoni i ka kërkuar ujë në gjuhë të huaj.

“Ishte fshehur dhe kërkonte një rrugë për të kaluar lumin në Bosnje dhe Hercegovinë. Kur erdhi policia, ai ka shtënë nëntë herë, domethënë të gjithë karikatorin në makinën e policisë. Policia u përgjigj, se një e shtënë e goditi atë dhe filloi të ikë nga rruga para se ta kapte policia. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, ishte shprehur Ivica Daçiq, transmeton Telegrafi.

 

Lidhur me raportimet ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët kanë kërkuar nga autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga Autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë”, thuhet në reagim.

 

A do t’ia dorëzojë Serbia trupin e Faton Hajrizit familjes, flasin juristë e ekspertë të sigurisë

Tani shtrohet pyetja se si do të veprojë shteti serb me kufomën e viktimës.

Avokati Arbër Jashari ka thënë se nuk ka ndonjë pengesë që trupi i Faton Hajrizit t’i kthehet familjes për procedura të varrimit.

 

“Kjo çështje është e rregulluar edhe me ligje të Serbisë, por edhe me norma ndërkombëtare për kthimin e trupit të tij në Kosovë. Procedurat e kthimit të trupit mund të bëhen edhe në mënyrë private nëse nuk bëhet me ceremoni shtetërore”, deklaroi Jashari në RTV Dukagjini.

Jashari thotë edhe faktori ndërkombëtar mund të reagojë për të kthyer trupin e Hajrizit në Kosovë.

“Kjo është e drejtë humanitare dhe njerëzore që familja të ketë trupin e të ndjerit që t’i bëhet varrimi sipas traditave të vendit. Kështu që unë nuk shohë ndonjë pengesë në këtë drejtim”.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj tha se situata aktuale është e palakmueshme edhe për faktin se Kosova e Serbia s’e njohin njëra tjetrën dhe se ekstradimi i kufomës së Hajrizit do të ketë edhe implikime të tjera. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>