Imazhi i Kosovës në vendet gjermano – folëse, nuk është i mirë, prandaj mungojnë investimet kualitative nga këto vende, ka thënë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi.
Kryeministri Isa Mustafa, në fillim të mandatit të tij prej kryeministri, kishte thënë se do të sjellë më shumë investime në vend nga perëndimi, se që kishte ndodhur deri atëherë në Kosovë.
Por, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi thotë se asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara dhe se për të bërë këtë ndryshim, duhen vepra.
“Një investitor i huaj gjerman, kur vendos të zgjerojë biznesin e tij, natyrisht që shikon ku ti drejtojë këto mjete. Kosova nuk është një vend aq interesant për investitorët e huaj. Prandaj qeveria Mustafa duhet të fokusohet konkretisht në biznese që do të kishin interes në Kosovë.”
Në një konkurrencë globale, për të tërhequr investime kualitative, duhet qenë edhe vend atraktiv. Por ky imazh, i mungon Kosovës, thotë kryetari Krasniqi:
“Imazhi i Kosovës, jashtë Kosovës posaçërisht në Gjermani, nuk është i mirë. Ne natyrisht themi që në Kosovë është më mirë se që është imazhi, por duhet punuar shumë në atë drejtim që ta përmirësojmë imazhin e keq që e kemi në vendet gjermanisht-folëse, posaçërisht në Gjermani.”
Krasniqi po ashtu thotë se vitin e kaluar vendi nuk ka pasur rritje të investimeve kualitative, që do të krijonin të reja vende pune e rritje të eksportit.
“Pavarësisht nga ajo që thuhet nga qeveria se ka rritje në krahasim me vitin 2014, unë them se nuk është arritur si qëllim, dhe ka mjaft pak investime të huaja dhe nëse ato janë nuk janë të fokusuara në investime të tilla të cilat do të sjellin përfitime, rritje të vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik në tërësi. Ato investimet e huaja, kryesisht janë në patundshmëri dhe në qiradhënie.”
Ai thotë se në kontakte me investitorë potenciale gjermanë, ka ankesa për të njëjtat probleme, e ngecje të të bërit biznes në Kosovë. (rtk)