Kosova dhe Serbia – pa ndonjë marrëveshje të re

Kosova SerbiaRaundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, përfundoi pa ndonjë marrëveshje të re.

Në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje të re edhe një raund i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se të dyja palët folën për përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ne bisedime, veçanërisht zbatimin e marrëveshjes së drejtësisë dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për organizatën e njohur si mbrojtja civile që vepron në veriun e Kosovës.

Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet e pazgjidhura si energjia, telekomi dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë kuadër ata u pajtuan për hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën deri në takimin e ardhshëm, thuhet në komunikatën e zonjës Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se takimi është shfrytëzuar për të përcaktuar rrjedhën e mëtejme të bisedimeve.

Po punojmë që institucionet e Kosovës sa më shpejtë të veprojnë në plotësinë e tyre në pjesën veriore të vendit. Të gjendet zgjidhje për kodin telefonik, lëvizjen mbi urën e Ibrit, energjetikën. Të gjitha këto zgjidhje do të jenë në dobi të qytetarëve tanë, të të gjitha etnive, dhe ura që na lidhin me familjen evropiane”, tha kryeministri Mustafa

Kryeministri serb tha se pret më shumë përparim deri në muajin maj kur pritet raundi i ri i bisedimeve. Ai tha se palët janë pajtuar për të hapur edhe dy vendkalime kufitare: një në veri dhe një ne lindje të Kosovës. Ai tha se palët nuk janë pajtuar per krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa është diskutuar edhe mundësia e kthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, të cilët u larguan në shenjë mospajtimi me shkarkimin e një ministri serb i cili mohoi krimet e luftës në Kosovë.

Takimi i fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është mbajtur më 9 shkurt kur ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime për hir të integrimeve evropiane. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>