Sipas qeverisë së Kosovës, KFOR-i edhe EULEX-i janë të një mendimi, se duhet të rivendoset liria e lëvizjes në veri të Kosovës dhe nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. BE-ja bën thirrje për zgjidhje politike.
Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë KFOR dhe EULEX dhe qeveria e Prishtinës pas një takimi të përbashkët konstatuan se në veri të Kosovës, “liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”. Kështu thuhet në një njoftim për medie nga zyra e kryeministrit Albin Kurti, pasi ai takoi komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, dhe kreun e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Pas këtij takimi, kryeministri Kurti mbajti edhe takimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, ku u tha se “qeveria e Kosovës është ende në pritje të veprimeve nga KFOR-i për heqjen e barrikadave”, edhe pse theksohet se “policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar”. “Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në një njoftim të qeverisë.
Serbia vendos ushtrinë në gatishmëri të lartë
Por nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, sipas RTS. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkroi në profilin e tij social, Instagram, se ai “do t’i marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës”. Ndërsa, duke folur për barrikadat në veri, ai tha se ato janë vetëm një shenjë pakënaqësie. “Prandaj, dua t’ju informoj se jemi në një situatë të vështirë, por do të bëjmë punën tonë më së miri dhe se do të kujdesemi në çdo mënyrë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, dhe jo vetëm kaq, por edhe ta mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Vuçiq që është edhe komandanti suprem i forcave të armatosura, ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”. “Rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë. Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t’u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”, tha Vuçeviq. Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gashiq, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se kishte urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së, pra “kam urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së, xhandarmërisë, njësisë speciale antiterroriste dhe brigadës së Policisë”, tha Gashiq.
Reagime nga BE
Zyrtarë të Bashkimi Evropian ndërkaq kanë bërë thirrje për “respektim të sundimit të ligjit”. “BE-ja i bën thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti që personalisht të kontribuojnë në një zgjidhje politike në mënyrë që të qetësohen tensionet dhe të bien dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të të gjitha komuniteteve”, ka thënë zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Masrali. Sipas saj, BE-ja pret nga Kosova dhe Serbia “t’i kthehen përkushtimit për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim në të mirë të qytetarëve të tyre, që përfshin edhe mbrojtjen e popullatës serbe në veri të Kosovës”.
Tensionimi i situatës vazhdon
Prej 17 ditësh serbët lokalë në veriun e Kosovës po mbajnë të barrikaduara rrugët kryesore të kësaj pjese të banuar më shumicë serbe. Dy pikat kufitare me Serbinë Jarinje dhe Bërnjak, po ashtu vazhdojë të jenë të mbyllura. E gjithë kjo sipas serbëve pas arrestimit të një ish-polici të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili, sipas autoriteteve të Prishtinës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Në ditët e para të vendosjes së barrikadave pati shpërthime dhe shkrepje të armëve të zjarrit. Një i tillë ndodhi edhe dy ditë më parë ku KFOR-i tha se “kanë parë dhe dëgjuar shkrepjen e armëve të zjarrit afër një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok në veri të Kosovës. Zyrtarë të KFOR-it bën të ditur se është duke e hetuar rasti shkrepjes së armëve të cilin e cilësuan “incident jodirekt zjarri”. “Incidenti përfshinte persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka lëndime apo dëme materiale dhe ne po punojmë për t’i vërtetuar të gjitha faktet”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Mediet serbe kanë raportuar mbrëmjen e 25 dhjetorit se pati shkëmbime zjarri në Zubin Potok, pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat në këtë komunë në veri të Kosovës”. Por, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla i hodhi poshtë këto raportime. “Barrikadat duhet të hiqen menjëherë”, dhe Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës, ka thënë Sveçla.
dw