Kosova para aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE

AlbinKosova do të dalë nga ngecja e rrugës së integrimit për në BE me aplikimin për statusin vendit kandidat. Ministrat e Jashtëm të BE kanë përshëndetur reformat, por kërkojnë respektim të detyrimeve që dalin nga dialogu.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi, se qeveria gjatë kësaj jave do të dorëzojë aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit. “Edhe Kosova e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik”.

 

Kthim i statusit potencial në status kandidat

“Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Evropian edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë. Ka ardhur koha që statusi potencial kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Kurti, pas një mbledhje të qeverisë. Kosova deri tash ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin e njohur si MSA. Pesë vende të BE-së Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, nga 27 vende anëtare ,akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Njoftimin se Kosova këtë javë do të aplikojë për anëtarësim për në BE, kryeministri Kurti e bëri në kohën kur në Bruksel ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, miratuan konkluzionet për procesin e zgjerimit. Ata përshëndetën përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në “forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit”, ndërsa, kërkohet që vendi të vazhdojë përpjekjet në luftë kundër krimit të organizuar. Po ashtu për Kosovën shprehet mirënjohje “për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë”.

 

Zhgënjim me Serbinë

Bashkimi Evropian, shprehu zhgënjimin me Serbinë që nuk ka përshtatur qëndrimet e saj me ato të BE-së në lidhje me çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, kur është fjala për agresionin rus në Ukrainë. “Këshilli i BE-së shpreh keqardhje të thellë për ecjen prapa të Serbisë në përshtatjen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në veçanti kur është fjala për sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe veprimet e Serbisë në fushën e politikës së jashtme që shkojnë kundër qasjes së përbashkët të BE-së”, thuhet në konkluzionet e takimit.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkan që nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Ministrat e BE-së, shprehen mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke theksuar se “çështja të përmbyllet sa më shpejt”. Nga Kosova dhe nga Serbia ndërkaq, kërkohet që t’i shtojnë përpjekjet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në frymën e besimit të mirë dhe në frymën e kompromisit, me qëllim arritjen e një marrëveshje ligjërisht obliguese. Nga Kosova dhe Serbia kërkohet po ashtu që pa vonesa, t’i respektojnë në tërësi të gjitha obligimet që dalin nga dialogu. Theksi vihet tek nevoja që të dyja vendet të përmbahen nga veprimet apo deklaratat që nxisin tensione.

 

KFOR-i në gatishmëri

Tensionet në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe prej një jave janë rritur. Serbët lokal po mbajnë të barrikaduara rrugët kryesore në këtë pjesë. E gjithë kjo sipas tyre, në shenjë siç u tha, pakënaqësie pas arrestimit  të një ish-polici serb, i akuzuar nga Prishtina zyrtare për organizimin e sulmit me mjet shpërthyes mbi zyrat e KQZ-së në veri.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, të cilat po mbikqyrin situatën në veri, thanë se “mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është që palët të zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”. “Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë mandatin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në një njoftim të fundit të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike të NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh pas tensioneve në veri.Palët duhet të ofrojnë ndihmë për uljen e tensioneve dhe të përmbahen nga retorika që kontribuon për përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensioneve, ka thënë Stoltenberg.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>