Sektori i derivateve të naftës, i njohur dhe si tregu më fitimprurës në Kosovë, karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri të shitja më pakicë e këtij produkti.
Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në Kosovë, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Kurse, janë evidentuar edhe raste të kontrabandës me naftë dhe derivate të saj në pjesën veriore të Kosovës, në kufirin me Serbinë.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, shumë herë ka shfaqur shqetësimin se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave.
Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimisht është kërkuar që kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës të realizohet qysh në pikat kufitare.
“Karburantet e lëngëta të naftës janë duke hyrë në Kosovë me cilësi të dobët, dhe është duke u manipuluar me këtë produkt nëpër pikat e karburanteve brenda territorit të Kosovës. Për këtë problem duhet të merren masa sa më shpejtë që është e mundur”, tha Berjani.
Në përpjekje për të përmirësuar dhe vendosur rend në sektorin e naftës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në muajin shkurt të këtij viti, ka miratuar një Udhëzim Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, në bazë të të cilit monitorimi i cilësisë së karburanteve bëhet në pikat doganore dhe jo nga trupat inspektues, pasi që nafta të ketë hyrë në tregun e Kosovës.
Për shkak të dyshimit të cilësisë së naftës, ka disa ditë që mbi 40 maune me këtë produkt janë bllokuar në terminalin doganor në Morinë. Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj agjencie, Adriatik Stavileci tha se që nga marrja e përgjegjësisë, sipas udhëzimit administrativ, Dogana ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut.
Rasti i fundit, thotë ai, është ndërlidhur më tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës.
“Sipas analizave, tejkalimi i parametrave është shumë i lartë, prandaj mostrat janë dërguar edhe një herë për super analizë në një laborator jashtë shtetit të Kosovës”, tha Stavileci.
Maunet e bllokuara në kufi, u përkasin tri kompanive që në Kosovë konsiderohen më të mëdhatë në këtë sektor.
Ky rast është shqetësues, thotë Fadil Berjani, duke mos i siguruar klientët për cilësi të naftës në tregun e Kosovës, e cila importohet nga vende te ndryshme të Evropës.
“Kjo tregon për mallin e dyshimtë. Do të thotë, bllokohen mbi 30 autobote, të gjitha kanë dalë jo konform ligjeve. Kjo është shqetësuese. Pikat karburanteve në brendi të territorit të Kosovës nuk janë duke e përzierë derivatin, por derivati po hynë me cilësi të dobët”, tha Berjani.
Në anën tjetër Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kompetent për kontroll të cilësisë së naftës në kufi është Dogana e Kosovës, kurse inspektorati i MTI-së është kompetent për monitorimin e cilësisë së naftës brenda tregut të Kosovës.
Ai tregon se ky trup inspektues, vazhdimisht kontrollon tregun për parregullsi eventuale.
“Ne si inspektorë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vitin e kaluar kemi marrë rreth 580 mostra, nga ky numër 34 kanë dalë jo konform udhëzimit administrativ. Problemi më i madh, ka qenë jo me sulfurin, por më pikën e ndezjes. Mirëpo, sido që të jetë, një parametër sa do i vogël që devijon, ne si Inspektorat jemi të detyruar ta procedojmë lëndën në gjykatat kompetente”, thotë Syla.
Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizimi i këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullim milionësh, janë vetëm disa nga parregullsitë që përmenden vazhdimisht në këtë sektor. (rel)