Policia e Kosovës arrestoi të premten tre deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujup dhe Albulena Haxhiu, ndaj të cilëve të mërkurën ishin lëshuar urdhër arreste. Arrestimi u krye në oborrin e parlamentit të Kosovës, derisa deputetët po shkonin në seancën e së premtes.. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë deputetët tjerë të lëvizjes Vetëvendosje që u përpoqën të kundërshtojnë arrestimin.
Të tre deputet pritet të dërgohen na paraburgim, pas vendimit të një gjykatësi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili të mërkurën lëshoi urdhër arrest për të tre deputetët për shkak të mosparaqitjes së tyre në një seancë gjyqësore lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës vitin e kaluar në Parlamentin e Kosovës.
Katër deputetë të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, akuzohen “për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se deputetët u arrestuan në mënyrë brutale dhe me urdhra politik.
“Kjo është një vazhdimësi e përndjekjes masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj lëvizjes Vetëvendosje veçanërisht kohëve të fundit me dënimin e katër aktivistëve tanë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e as dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast për shkak të protestës sonë me ç’rast e mbrojtëm sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit”, tha zoti Ymeri.
Vitin e kaluar, për më shumë se gjashtë muaj deputetët e opozitës organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. (voa)