Në Prishtinë përfaqësues organizatash mediatike thanë se lufta ndaj lajmeve të rreme është punë sfiduese, posaçërisht në kohë lufte siç është ajo në Ukrainë, ku Rusia krahas agresionit ushtarak po vazhdon propagandën e saj. Këto komente u bënë gjatë një debati mbi ndikimin e lajmeve të rreme në shoqëri, organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Svitlana Slipchenko, ushtruese e detyrës së drejtores në “VoXCheck”, një platformë që merret me verifikimin e vërtetësisë së lajmeve në Ukrainë, tha se që nga fillimi i luftës është bërë shumë sfidues luftimi i propagandës ruse.
Këto komente zonja Slipchenko i bëri gjatë një video konference në Prishtinë me temën “Ballafaqimi me fakte – si të kundërtshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë”.
“Gjëja më vështirë është sasia e dezinformatave. Ne shohim shumë lajme të rreme jo vetëm në Facebook, Instagram, por edhe qindra postime në kanale të ndryshme, dhe mediat ruse. Ne gjithashtu e kuptojmë se mediat ruse mund të ndikojnë njerëzit jo për nga cilësia por nga sasia e madhe e burimeve. Këto dezinformata mund të ndikojnë në Rusi, Ukrainë por edhe në Evropë”, tha ajo.
Maksym Skubenko, ish drejtor i kësaj platforme, i cili e ka lënë detyrën për t’u angazhuar në luftë, tha se puna e institucioneve të tilla është e domosdoshme në kohëra të tilla.
“Na duhet ndihma e të gjithë juve tani, kjo është shumë me rëndësi sepse vetëm ne e dimë se çfarë mund të bëjë deznformimi rus në Ukrainë. Në vitet 2014 dhe 2015 ne e pamë këtë gjë dhe tani na duhet ndihma juaj që të sigurohemi se bota nuk po harron të bëmat e Rusisë”, tha ai.
Rainer Schuller nga gazeta austriake “Der Standard”, tha se ka një propagandë të vazhdueshme edhe në Evropë nga ana e Rusisë.
“Kemi edhe ambasadorin në Vjenë i cili po gënjen mediat, ai ështe intervistuar nga një gazetë austriake tre ditë më parë dhe nuk ka turp të gënjejë në publik, kështu që tërë ky dezinformim është vështirë të menaxhohet. Mendoj se mënyra më e mirë për të demaskuar këto dezinformata është nëpërmjet një stafi redaktues me përvojë”, tha ai.
Ed Vulliamy, nga gazeta britanike “The Guardian”, tha se propaganda ka sukses edhe për faktin se njerëzit shpesh nuk janë të interesuar për të vërtetën.
“Katër nga dhjetë shikues të televizionit duan të dijnë se cila është e vërteta dhe cila gënjeshtra, nga ana tjetër gjashtë nga dhjetë nuk duan ta dijnë fare. Dy nga këta të katërt që duan ta dijnë të vërtetën, janë të aftë ta zbulojnë atë kur iu paraqitet një fakt i vërtetë dhe një i pavërtetë”, tha ai.
Diskutimi i së hënës u organizua nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, në partneritet me “Internews Kosova” dhe me “FindBug”, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
voa