Një pjesë e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës të hënën vitin e ri shkollor, mes masash për frenimin e zgjerimit të pandemisë së COVID-19.
Në hyrje të shkollës çdo nxënësi po i matej temperatura ndërsa të gjithë janë të detyruar të mbajnë maska gjatë orarit të mësimit.
Zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore, Naim Frashëri në Prishtinë, Drita Qorrolli, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e mësimit me kushte të pandemisë.
“Ndërrimi i paradites shkoj shumë në rregull, nxënësit ishin këtu. Temperaturën ua kemi mat dhe të gjithë e kishin të përshtatshme për shkollë. Mësimi shkoj në rregull dhe tash fillon ndërrimi i dytë, ndërsa klasat u dezinfektuan ndërkohë”, tha ajo.
Nga sot ka filluar mësimin një grup i nxënësve që do të pasohet me grupin tjetër pas një jave, në mënyrë që të shmangen grumbullimet e mëdha. Mësimi do të mbahet me orar të shkurtuar dhe i ndarë në klasa me nga 20 nxënës për të mbajtur distancën fizike ndërmjet tyre.
“Brenga jonë është që t’i ruajmë të gjithë fëmijët të mos infektohen gjatë qëndrimit në shkollë gjithashtu edhe për personelin besoj që do të shkoj mbarë si sot që filloj mësimi”, tha Drita Qorrolli nga shkolla Naim Frashëri në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se ky vit i ri shkollor është ndryshe nga të tjerët dhe se prindërit, arsimtarët dhe fëmijët duhet t’i respektojnë masat kundër COVID-19, siç janë mbajtja e maskave, dezinfektimi dhe mbajtja e distancës fizike.
Por, lëvizja Vetëvendosje kritikoi qeverinë për vonesa në fillimin e vitit të ri shkollor dhe për shumë paqartësi. Deputeti i kësaj lëvizjeje, Fitim Uka, tha se ministria e arsimit ende nuk ka shpalosur skenarët se si do të fillojë mësimi për grupin e dytë të nxënësve që pritet të nisë nga java e ardhshme.
“Ku ishin deri më sot këta që nuk ja dolën të identifikojnë të gjitha shkollat dhe potencialet e tyre për të filluar mësimin dhe si është e mundshme që edhe sot një javë para fillimit të mësimit për këto klasa nuk e kemi të qartë se si do të jetë skenari. Për kaq muaj që i kishim në dispozicion kjo qeverisje dhe kjo ministri për të bërë një analizë të detajuar në terren për potencialet e secilës shkollë, jo që nuk ja dolën por edhe shkaktuan edhe shumë huti te prindërit, nxënësit, mësimdhënësit”, tha ai.
Ai paralajmëroi interpelance në parlamentin e Kosovës me ministrin e arsimit lidhur me organizimin e procesit të ri shkollor.
Ministria e arsimit kishte marr vendim për shtyrjen e procesit të ri mësimor për dy javë për shkak të përgatitjeve më të mira për fillimin e mësimit, i cili në mesin e muajit mars ishte ndërprerë pas shfaqjes së pandemisë COVID-19. I gjithë procesi mësimor ishte zhvilluar nëpërmjet transmetimit të mësimeve në distancë në dy kanale të televizionit shtetëror dhe në platforma në internet.
Autoritetet thonë se janë përgatitur tre skenarë për mbajtjen e procesit mësimor në vend zbatimi i të cilëve do të varet nga situata me koronavirus.
voa