Kosovë – Serbi: Fillon mbulimi i targave të makinave

Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse.

Kjo shënon edhe fillimin e zbatimit të pikës së dytë të marrëveshjes së javës së kaluar të arritur midis palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.

Sipas marrëveshjes, letrat ngjitëse do të përdoren deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare dhe një grup punues do të fillojë më 21 përpjekjet tetor për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Policia e Kosovës tha se zbatimi i marrëveshjes ka filluar në nivel vendi, në të gjitha vendkalimet kufitare.

Policia e Kosovës:
“Zbatimi i vendimit sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mbi vendosjen e stikersave në targa
Prishtinë, 4 tetor 2021
Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementim dhe zbatim të vendimit i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e stikersave.
Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që të ju mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të stikersave dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi.”

Të shtunën forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, duke i dhënë fund bllokimit të tyre për gati dy javë me radhë.

Tensionet përfshinë veriun e Kosovës më 20 shtator pasi që serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për të zbatuar reciprocitetin për përdorimin e targave të makinave.

Qeveria vendosi që nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet në Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë. Ajo dërgoni atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.

Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Të enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunën– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.

Marrëveshja e së enjtes u përshëndet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Marrëveshja e 30 shtatorit uli tensionet, ndërmjet palëve, por zhvillimet para saj pasqyruan mospajtimet e thella ndërmjet Kosovës, që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj. Për dhjetë vjet me radhë të dyja palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane. Por, përparimi është ende i paktë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>