Të hënën në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës pritet rifillimi i vitit shkollor mes masash për frenimin e zgjerimit të pandemisë së COVID-19.
Ministria e Arsimit tha se nga e hëna do të fillojë mësimin një grup i nxënësve që do të pasohet me grupin tjetër pas një jave, në mënyrë që të shmangen grumbullimet e mëdha. Mësimi do të mbahet me orar të shkurtuar dhe i ndarë në klasa me nga 20 nxënës për të mbajtur distancën fizike ndërmjet tyre.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se pjesa dërrmuese e shkollave janë të gatshme për të filluar vitin e ri dhe se janë bërë përgatitjet mbështetur në udhëzimet e institucioneve shëndetësore.
“Janë pastruar dhe dezinfektuar shkollat dhe janë vendosur udhëzimet se sit ë sillemi në shkollë në kohë pandemie, është hartuar udhëzuesi i përgjithshëm për organizimin e procesit shkollor për vitin 2020/2021 me tre skenarë, është përgatitur master plani për e-mësimin i cili është miratuar me një vendim të posçëm nga qeveria me një buxhet shtesë prej 12.5 milionë eurosh, është hartuar protokolli i reagimit ndaj pandemisë që përcakton qartë mënyrën e reagimit të menaxhmentit, personelit të shkollave në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual ose grupor të nxënësve ose personelit të shkollave gjatë zbatimit të procesit mësimor”, tha ai.
Sipas vendimit, të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit janë të detyruar të mbajnë maska gjatë orarit të mësimit.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bëri thirrje për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet prindërve dhe institucioneve për të mbajtur nën kontroll situatën me pandeminë pas hapjes së shkollave.
“Kjo do të na ndihmojmë që ta menaxhojmë situatën dhe të mos kemi problematika në ecjen tonë në menaxhimin e përditshëm që e bëjmë si ministri e shëndetësisë por njëherit më lejoni të theksoj që do të jemi shumë striktë në vlerësimin e masave dhe udhëzuesve për të ngritur disiplinën dhe për ta ruajtur shëndetin e fëmijëve dhe mësimdhënësve por edhe të qytetarëve”, tha zoti Zemaj.
Ai tha se do të rritet edhe numri i inspektorëve sanitarë për të vëzhguar procesin mësimor.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se përgatitjet e institucioneve dhe situata më e mirë epidemike ka krijuar mundësinë për të filluar mësimi.
“Bashkë me ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrinë e Arsimit që kanë bërë të gjtiha parapërgatitjet, kanë kompletuar gjithë materialin e domosdoshëm i cili mbështetet në fakte shkencore, mbështetet në të gjithë rekomandimeve e të gjitha organizmave më të lartë ndërkombëtarë dhe në rekomandimet Institutit Kombëtar dhe ministrisë së Shëndetësisë, pra krejt këto parapërgatitje të cilat shumica ka pasur mëdyshje se nuk mund të bëheshin, ja që kemi mbërri në këtë ditë kur po e shpallim se nesër po i hapim shkollat”, tha zoti Ramadani.
Në mesin e muajit mars, autoritetet mbyllën shkollat në Kosovë pas shfaqjes së pandemisë COVID-19. I gjithë procesi mësimor u zhvilluar nëpërmjet transmetimit të mësimeve në distancë në dy kanale të televizionit shtetëror dhe në dy platforma në internet.
Autoritetet thonë se janë përgatitur skenarë të ndryshëm për mbajtjen e procesit mësimor në vend e të cilat do të varen nga situata me koronavirus.
voa