KRUSHQIA E MADHE E VIDOVDANIT!

FB_IMG_1719652042386Ende pa u tha mirë gjaku në Fushën e Kosovës, një krushqi e madhe do të krijohej midis osmanëve dhe serbëve: dy djemtë e Llazarit, Stefani dhe Vuku, do të bënin betimin për besnikëri ndaj Sulltan Bajazitit, i cili ua kishte vrarë babën, ndërsa motra e tyre, Olivera, do të bëhej gruaja e sulltanit.

 

Të dy vëllezërit do të qëndronin përkrah sulltan Bajazitit në të gjitha betejat e tij për konsolidimin e pushtimit osman në Ballkan. Deri në Betejën e Ankarasë ( 1402) kur Bajaziti dhe Olivera u kapën të gjallë nga ushtria e Tamerlanit. Legjendat thonë se Bajazitin e mbyllën në një kafaz, ndërsa Oliverën e detyruan të vallëzonte lakuriq para Tamerlanit dhe kapedanëve të tij mongolë( shih pikturën në fund të këtij teksti).

 

Sidoqoftë, me ndonjë rënie të parëndësishme, krushqia serbo-otomane do të vazhdonte me shekuj. Mara e Brankoviqit, gruaja e Muratit të Dytë, do të rriste me qumshtin e saj Sulltan Mehmetin e Dytë, dhe kur ky, më vonë, do të rrethonte Konstantinopojën[1453], trupat e para që do të thyenin ledhet e saj, do të ishin ato të Brankoviqit.

 

Krushqia serbo-otomane do të arrinte një kulm tjetër, kur në vitin 1557, Sulltan Sylejmani do të rithemelonte Patriarkën Pejës dhe do t’i njihte asaj gjithë pushtetin mbi një territor që sot përfshin krejt territorin e ish-Jugosllavisë, përjashto Slloveninë dhe disa pjesë të Kroacisë.

Aq e fortë ishte krushqia serbo-otomane, saqë, siç shkruan historiani Philip Mansel, në librin e tij “Konstantinopoja, 1453-1924”, në mesin e shekullit 16, në pallatin e sulltanëve, në Stamboll, serbishtja ishte gjuha më e përdorur dhe më e kuptueshme nga të gjithë.

Blerim Latifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>