Kryeministri Mustafa: Nuk ka shtim të esktremizmit në Kosovë

mustafaKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se nuk shikon një shtim të ekstremizmit në Kosovë. Ai mori pjesë në një takim të nivelit të lartë në Nju Jork për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, krahas dhjetra udhëheqësve të tjerë nga e gjithë bota. Në një intervistë që i dha kolegut tonë Ilir Ikonomi, zoti Mustafa komentoi edhe për trysninë që po i bëhet qeverisë nga opozita, e cila kërkon tërheqjen e Kosovës nga marrëveshjet e nënshkruara kohët e fundit me Serbinë.

Zoti Mustafa thotë se numri i qytetarëve nga Kosova që luftojnë aktivisht në Siri dhe Irak ka patur rënie:

“Unë mendoj se numri i atyre që kanë shkuar është i kufizuar. Ne tani llogaritim, në bazë të të dhënave të intelligjencës, që mund të kemi rreth 70 njerëz që janë aktivisht atje.”

Por thjesht kufizimet fizike vështirë se mund ta zgjidhin problemin. A do të jetë në gjendje Kosova ta fitojë luftën me ekstremizmin në frontet e tjera? I pyetur nëse në Kosovë ka një shtim të ekstremizmit fetar, zoti Mustafa thotë:

“Unë mendoj se jo. Ka disa ndikime fetare të cilat vijnë nga vende të ndryshme islamike në varësi se ku kanë studiuar dhe ku janë shkolluar hoxhallarët e ndryshëm që predikojnë fenë në Kosovë. Ne kemi patur një tolerancë fetare më parë. Tani kemi edhe rryma të tilla fetare të cilat nuk kultivojnë tolerancën ose durimin, jo vetëm ndërmjet feve të tjera, por edhe brenda Islamit në Kosovë.”

Zoti Mustafa beson se tani Bashkësia Islame është në një rrugë të mirë dhe ka kontrollin mbi këto rryma.

“Mendoj se shumica e popullatës, e cila kryen ritet fetare, por edhe shumica e njerëzve në Bashkësinë Islame, të cilët merren me punët e organizimit të fesë, është krejtësisht tolerante dhe e moderuar.”

E pyetëm zotin Mustafa edhe për presionet politike me të cilat ai përballet, për shkak të marrëveshjeve të fundit të nënshkruara me Serbinë. Deputetë e opozitës, të cilët kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet, nuk e lejuan kryeministrin as të raportonte në Kuvend. Zoti Mustafa mendon se gjërat do të normalizohen:

“Opozita nuk ka asnjë arsye që, në mënyrë të njëanshme dhe duke pamundësuar argumentimin të vazhdojë të pengojë, ose të bllokojë funksionimin e Kuvendit. Ndërkaq qeveria do të punojë në mënyrë të rregullt.”

Kritikët thonë se marrëveshjet e nënshkruara kanë favorizuar Serbinë drejt integrimeve evropiane, ndërsa Kosovës nuk i kanë sjellë përfitim.

“Këtë çështje e kemi biseduar me palën evropiane, me faktorët ndërkombëtarë. Tani ne presim që të nënshkruhet marrëveshja për stabilizim-asocim, do të përmbushim të gjitha kriteret teknike që janë kërkuar nga ne sa i përket liberalizimit të vizave dhe atë jo më larg se në fund të këtij viti. Kemi biseduar edhe me përfaqësuesit e BE-së që ishin këtu në Nju Jork dhe presim të caktohet data e fillimit të liberalizimit të vizave.”

Disa në Kosovë janë të shqetësuar se fakti që bashkësia e komunave serbe do të ngrihet në baza etnike, paraqet rrezik për ndarjen e Kosovës në linja etnike. Zoti Mustafa e hedh poshtë mundësinë e një bosnjëzimi në Kosovë:

“Është kërkuar që asociacionet të bëhen si nevojë e një integrimi më të madh të serbëve në Kosovë, por mendoj se zgjidhjet që kemi bërë me parimet kryesore për themelimin e asociacionit janë të tilla që nuk mundësojnë fare që të kemi një bashkësi të veçantë kulturore, territoriale apo etnike që të funksiononte jashtë sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës.” (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>