Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shkroi letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefit të politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell Fontelles, lidhur me veprimet e qeverisë së tij rreth tarifave dhe bisedimeve me Serbinë.
Në letër theksohet se qeveria e Kosovës e kupton nevojën e zgjidhjes së çështjeve të mbetura politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe është zotuar ndaj procesit të dialogut si e vetmja mënyrë për arritjen e marrëveshjes, qëllimi përfundimtar i të cilës duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
“Negociatat duhet të vazhdojnë. Ato duhet të jenë të përgatitura mirë si dhe të bazuara në parime. Arritja e një marrëveshje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon”.
Në përputhje me këtë zotim, shkruan kryeministri Kurti “duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë të heqim tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u vendosën nga qeveria e kaluar. Fillimisht ne do t’i heqim tarifat mbi lëndën e parë. Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t’i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi; në këmbim të kësaj presim që Serbia t’i heqë të gjitha barrierat e mbetura jotarifore për tregti me Kosovën, si dhe t’i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës”, shkruan ai duke bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të krijojnë mekanizma monitorimi dhe sanksionimi për të siguruar që të dy palët t’i respektojnë zotimet e tyre në marrëveshjet ekzistuese dhe në ato të ardhshme.
Kryeministri Kurti thekson se gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme ka pasur mungesë bashkërendimi midis përfaqësuesve të Kosovës në lidhje me rolet e tyre individuale dhe qëllimet në bisedimet me Serbinë. Kjo, shkruan ai, krijoi mungesë të qartësisë institucionale dhe asaj politike.
“Qeveria ime zotohet t’i jap fund kësaj. Si Kryeministër, unë kam mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marr përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Mezi pres të punoj së bashku me ju dhe me përfaqësuesit e BE-së për t’i çuar më tej interesat tona të përbashkëta dhe për ta çuar përpara këtë proces”, shkruan kryeministri Kurti.
Ditë më parë, letra të ngjashme kryeministri Kurti u kishte drejtuar edhe presidentit amerikan, Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
Qëndrimi i tij për heqjen e kushtëzuar të tarifave nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i mbështesin masat gjysmake dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.
Ndërsa, Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.
Të vendosura në nëntor të vitit 2018, tarifat që synonin kundërvënien ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës, çuan në pezullimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
voa