Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur për të premten seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Thirrja e kësaj seance është mbështetur në nënshkrimet e mbledhura nga deputetët.
Kandidati i koalicionit qeverisës për postin e presidentit është lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gëzon mbështetjen e numrit më të madh të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe komuniteteve pakicë.
Zgjedhja e presidentit, sipas procedurave kushtetuese, mund t’i kalojë tri rrethe të votimit.
Në dy rrethet e para kërkohet mbështetja prej dy të tretave të deputetëve, apo mbi 80 vota, kurse në rrethin e tretë, shumica prej 61 e më tepër vota.
Kundër-kandidati i Thaçit për këtë post pritet të jetë Rafet Rama, po nga PDK-ja. Por, kjo kandidaturë më shumë shihet vetëm si nevojë për plotësimin e procedurave ligjore e kushtetuese.
Ndërkohë, opozita ka njoftuar tashmë se është mobilizuar për të mos lejuar zgjedhjen e Thaçit në postin e presidentit. Tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë paralajmëruar kundërshtimin brenda në Kuvend, si edhe protesta në rrugë.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nëse “presidenti trafikohet në këtë mënyrë”, Kosova do të zhytet në një krizë edhe më të thellë politike. (rel)