BE pret që Kosova të vazhdojë të angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që përfshin respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm, ku përfshihet edhe liria e lëvizjes.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajqak i dërgoi një letër kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, me cilën i rikujton palës kosovare marrëveshjen për lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shkas për dërgimin e kësaj letre të Lajqak në zyrën e kryeministrit të Kosovës, u bë refuzimi që Prishtina zyrtare i bëri një kërkese për vizitë në Kosovë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe dy zyrtarëve të tjerë serb. Ministrja e Jashtme e Kosovës Melisa Haradinaj-Stublla duke arsyetuar refuzimin e Prishtinës tha në një deklaratë për medie se “kërkesa e presidentit Vuçiq, ministrit të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas”. Sipas saj, kërkesa për vizitë në Kosovë të zyrtarëve serbë, është “ofendim më tepër se provokim”.
Ofendim më tepër se provokim
Mirosllav Lajqak, në letrën e tij dërguar Hotit thotë se “siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë mund të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto rregulla, së bashku me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes kanë rezultuar shumë të dobishme dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Mirosllav Lajçak. I ngarkuari i BE-së i rikujton Hotit se “marrëveshja për lirinë e Lëvizjes dhe vizitat e zyrtarëve”, në tërësinë e tyre, përfaqësojnë angazhimet e dialogut që duhet të respektohen si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.
“Mosrespektimi i këtyre marrëveshjeve dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e Dialogut. Për më tepër, shkelje të tilla dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis palëve dhe përshkallëzimin e tensioneve në terren, kjo në veçanti ka ndikim në diskutimet e vazhdueshme mbi Marrëveshjen e ardhshme Gjithëpërfshirëse”, thuhet ndër të tjera në letrën e Lajqak dërguar kryeministrit Hoti. Ky i fundit tha se e ka pranuar letrën e Lajçak, duke e siguruar atë se do ti përgjigjet, ndërsa shkurt tha se Prishtina “do të respektojë marrëveshjet për lëvizjen e lirë, e se në proces të dialogut do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura”.
Zbulimi i një varreze masive
“Marrëveshjet i respektojmë sigurisht, jemi pro lëvizjes së lirë, po punojmë në proces të dialogut që të përmbyllim të gjitha çështjet e hapura, po nganjëherë janë mjaft të ndjeshme. Kam pranuar letrën nga Lajçaku do t’i përgjigjem, çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë në të cilën do të kalojmë”, tha kryeministri Hoti. E ndjeshmëria e kohës siç duket, ka të bëjë me zbulimin e një varreze masive në Krixhevak në Serbinë jugore ku besohet se gjenden mbetjet mortore të 15 shqiptarëve të Kosovës. Pas zbulimit të kësaj varreze masive, vet shefja e diplomacisë kosovare Haradinaj-Stublla, kishte bërë kërkesë që të shihte nga afër gërmimet në Kizhevak të Serbisë, por, më vonë u tha se kjo vizitë shtyhet “për një kohë tjetër”. E reagimi i saj ishte i ashpër.
“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?”, tha në një deklaratë për medie ministrja e jashtme e Kosovës Melisa Haradinaj-Stublla.
E nga ana e tij, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, citojnë mediet në Serbi, ka thënë se ai është kontaktuar nga Bashkimi Evropian pas refuzimit që i bëri Prishtina që ta vizitojë Kosovën.
“Nga Evropa thirrën dhe thanë që duhet të pajtohemi, që gjithçka të rregullohet, që askush të mos shkojë askund dhe ramë dakord që të mos flitet për çdo gjë në publik, në mënyrë që të mos mërzisim as publikun serb dhe as atë shqiptarë”, citohet Vuçiq.
dw