Ligjvënësit amerikanë: Shqetësim për qasjen e administratës amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës

EngelLigjvënësit Engel dhe Menendez i shkruajnë një letër sekretarit të shtetit për Politikën e Jashtme, Mike Pompeo ku i shprehin shqetësim për qasjen që administrata amerikane ka ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Dy ligjvënës amerikanë, Eliot Engel dhe Bob Menendez i dërguan dy ditë më parë një letër ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo, në të cilën ata shprehin shqetësimin për taktikat e ashpra që përdor administrata amerikane ndaj Kosovës, duke anashkaluar përpjekjet e Serbisë për anulimin e njohjeve të Kosovës dhe lidhjet që ajo ka me Rusinë.

Në letrën dërguar më 13 prill 2020, ligjvënësit nga komisionet e të dy dhomave të Kongresit Amerikan, i bëjnë thirrje administratës së presidentit Trump, që të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin Kosovë- Serbi në një mënyrë që të jetë e ndershme për të dy vendet, në përputhje me ligjet amerikane dhe politikat afatgjata.

Dënohet pa të drejtë qeveria e atjeshme

Deputeti Eliot Engel, kryetar i Komisionit për çështjet e jashtme të Dhomës së Ulët të Kongresit amerikan, dhe senatori Bob Menendez, anëtar i Komisionit për marrëdhëniet me jashtë të Senatit, Dhomës së Lartë të Kongresit, shkruajnë në letrën e tyre se administrata aktuale “ka qasje të ashpër ndaj Kosovës duke e dënuar pa të drejtë qeverinë e re të atjeshme, ndërkohë që fushata e Serbisë për të anuluar njohjet e Kosovës nga vendet e tjera dhe lidhjet e Serbisë me Kremlinin, anashkalohen pa u vënë re”.

“Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin për rolin që SHBA luan në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë,” shkruajnë Engel dhe Menendez. Ata shprehin pëlqimin që administrata amerikane i përkushtohet burimeve diplomatike për zgjidhjen e konfliktit Serbi- Kosovë. “SHBA ka luajtur historikisht rol konstuktiv në rajon duke filluar me dhënien fund të luftës në Bosnjë, mbikqyrjen e Marrëveshjes së Ohrit, njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe mbështetjen e reformave demokratike në Serbi,” shkruajnë ata, duke vënë theksin në koordinimin e diplomacisë amerikane me atë europiane si kyç për suksesin e përpjekjeve diplomatike: ”Çdo përpjekje për të krijuar një shteg në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, duhet bërë në bashkëpunim me Brukselin dhe kryeqytetet e tjera kyçe të kontinentit europian.”

Mbasi bëjnë një shpjegim të vendosjes dhe heqjes së tarifave, Engel dhe Menendez shkruajnë se “Kosova është një aleat i ngushtë i SHBA dhe ne ju kërkojmë me ngulm të gjeni një qasje të durueshme dhe konstruktive me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike”, për t’i dhënë asaj mundësinë të ngrejë ekipet e ministrive dhe të bëjë të njohur politikat.

“Presioni publik amerikan ndaj Serbisë ka rënë”

Dy ligjvënësit shkruajnë në letrën e tyre drejtuar sekretarit amerikan të shtetit për politikën e jashtme, se që nga 23 janari, kur ambasadori Grenell i kërkoi Serbisë t’ i japë fund fushatës për anullimin e njohjeve të Kosovës, duke i kërkuar në të njëjtën kohë Kosovës që të heqë tarifat, “presioni publik amerikan ndaj Serbisë ka rënë ndërkohë që ai ndaj Kosovës është intensifikuar”.

Dy ligjvënësit kujtojnë në letrën e tyre, se mungesa e ekuilibrimit të politikës së administratës së presidentit Trump ndaj Prishtinës dhe Beogradit, “është duke ndodhur në një kohë që Serbia është duke zgjeruar lidhjet e saj me Moskën dhe duke shtuar importet ruse të armëve”. Prandaj ata i kërkojnë qeverisë amerikane të vendosë sanksione ndaj Serbisë. Engel dhe Menendez kërkojnë që “Millennium Challenge Corporation”(MCC) të rifillojë menjëherë zbatimin e programit të zhvillimit për Kosovën duke i dhënë fund ndalimit të tij.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>