Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë prioriteti kulmor i Listës Serbe, por një gjë e tillë, gjithashtu është obligim për institucionet e Kosovës, i cili ka dalë nga marrëveshja në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, vlerësojnë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston një vullnet i mirë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, jo vetëm brenda Listës Serbe, por sipas tij edhe tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Megjithatë, siç thotë ai, ndonëse formimi i Asociacionit do të nisë shpejt, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë ky proces.
“Në përgjithësi, ne ende nuk e kemi të caktuar datën se kur mund të nisë ky proces. Mund të them se formimi i Bashkësisë së komunave serbe, si një institucion kulmor, është proces dhe jo vetëm një moment kur mund të thuash ‘do ta formojmë’ dhe kaq. Ky është proces që do të kërkojë kohë. Por, e rëndësishme është që ky është obligim që ka dalë nga marrëveshja dhe kjo nuk është marrëveshje e imponuar, por e arritur nga ekipet e bisedimeve. Çdo shtyrje e asaj për të cilën janë marrë vesh, është jo e sinqertë”, tha Simiq.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka bërë me dije se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet, por vetëm në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kjo e fundit, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.
Simiq thotë se Lista Serbe do të insistojë që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013.
“Qëndrimi i Listës Serbe është që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është rritur pajtimi në Bruksel. Mund t’ju them, edhe si jurist, që Kushtetuta e Kosovës thotë që marrëveshjet që kanë karakter ndërkombëtar, ashtu siç po i trajton Kosova, si dhe që janë të ratifikuara nga Kuvendi, ato kanë fuqi më të madhe ligjore se sa vet Kushtetuta e Kosovës, e lerë më nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Simiq.
Por, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në marrëveshjen e Brukselit thuhet qartë se Asociacioni do të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, gjegjësisht, sipas ligjeve të saj. Kjo marrëveshje, siç thotë ai, gjendet edhe në faqen e internetit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Por, sipas tij, problemi është krijuar për shkak të interpretimeve të ndryshme, ndërmjet asaj që e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe asaj që e thonë Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe.
“Aty shkruhet mjaft qartë që Bashkësia e komunave serbe do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, problemi është se ky fakt po injorohet, ndërkohë që po ky fakt është mjaft i rëndësishëm dhe nuk guxon të injorohet. Në rast se këto fakte, janë kështu siç po i themi, atëherë Lista Serbe nuk ka këtu shumë hapësirë për manipulime”, tha Nojkiq.
Ai ka shprehur mendimin që përmbajtja e Marrëveshjes për formimin Asociacionit duhet sqaruar për opinionin, ndërkaq që Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ulen dhe bisedojnë lidhur me vërejtjet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese lidhur me formimin e Asociacionit. (rel)