Lista serbe largohet nga qeveria e Kosovës

RakicLista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohet nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Shefi i kësaj liste, Goran Rakiç, tha të martën në Beograd pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se muajin e ardhshëm kur mbushen pesë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të fillojnë vet ngritjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe. Ai tha se lista ka mbështetjen e presidentit serb për veprimet e saj.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mblodhi të martën Këshillin e Sigurisë e cilësoi të ngutshëm këtë veprim duke u bërë thirrje përfaqësuesve të listës serbe që të reflektojnë mbi vendimet e tyre.

“Mendoj që është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i ngutshëm dhe i dëmshëm, nuk bën ashtu. Ne e pamë dje kur nuk ka komunikim të mirëfilltë deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet durimi i askujt deri në fund, më mirë është t’i kthehemi tavolinës dhe t’i shtyjmë temat së bashku, por njëanshëm nuk mendoj se është në dobi të askujt dhe jam thellë i bindur se do ta gjejmë një gjuhë të komunikimit që punët t’i kryejmë si i ka hije në tavolinë, por jo ashtu, jo njëanshëm jo me mohim”, tha kryeministri i Kosovës.

Njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë të hënën në veri për të shpërndarë një tubim në të cilin po merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës. Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, hynë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit. Marko Gjuriç, më pas u dëbua në Serbi. Veprimi nxiti reagime të ashpra të Beogradit i cili akuzoi edhe fuqitë perëndimore për mbështetje të ndërhyrjes së policisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha se veprimet e djeshme nuk kanë qenë të drejtuara ndaj komunitetit serb në Kosovë, por ishin të pashmangshme dhe në pajtim me ligjin.

“Arrestimi i djeshëm i zyrtarit të Serbisë, në këtë rast Marko Gjuric, nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyeshëm prej nesh, por ishte zbatim i ligjit pra i pa alternativë meqenëse hyrja ishte ilegale dhe në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha zoti Haradinaj.

Lista Serbe, është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë dhe largimi i saj e lë qeverinë pa shumicën në parlament duke krijuar rrethana të reja në vend, që mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme apo rikonfigurim të qeverisë.

Kryeministri Harandinaj, mohoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por tha se mbetet i hapur për mundësi të tjera.

“Dorëheqje s’e kam në plan të jap, punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht, ata që e pëlqejnë punën e qeverisë ju shprehi partneritet, ata që shkojnë e hyjnë e dalin nuk kam ndonjë vendim tjetër për ta”, tha zoti Haradinaj. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>