Lunacek: Me pamjet e dhunës rrezikohet liberalizimi i vizave

ulrike-lunacekLunacek porosit të dy palët që të gjejnë mënyra për t’u ulur në tavolinë dhe për t’i zgjedhur mospajtimet me anë të dialogut.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, në intervistën për KosovaPress-in ka shprehur qëndrimet e saj për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si pasojë e acarimit të situatës mes Qeverisë dhe opozitës mbi dy marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.

Lunacek porosit të dy palët që të gjejnë mënyra për t’u ulur në tavolinë dhe për t’i zgjedhur mospajtimet me anë të dialogut, pasi, siç thotë, dhuna dëmton proceset e rëndësishme të Kosovës drejt BE-së, siç është, mes tjerash, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Lunacek ka shprehur shqetësim për mënyrën e ardhjes së shefit të përgjithshëm të KFOR-it, Ljubisha Dikoviq në Prishtinë, pa lejen e institucioneve të Kosovës. Sipas saj, KFOR-i është dashur të jetë më i kujdesshëm për të mos lënduar ndjenjat e kosovarëve dhe kujtimin për viktimat, duke e ftuar Dikoviqin në Kosovë.

Raportuesja për Kosovën ka potencuar se arrestimi i deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti është bërë në rrethana të papërshtatshme kohore, njëkohësisht duke e kritikuar opozitën për skena dhune në Kuvendin e Kosovës, që sipas saj nuk përçojnë mesazhe të mira jashtë vendit.

Sa i përket dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESO, Lunacek ka theksuar se Serbia ka përçuar një mesazh të lartë urrejtjeje duke e penguar Kosovën drejt anëtarësimit në këtë organizatë, derisa kritika nuk ka munguar për Ministrinë e Jashtme, nga e cila kërkon që të shikojë me kujdes se ku ka gabuar dhe të marrë mësim për të ardhmen.

Në vazhdim lexoni intervistën e plotë të KosovaPress-it me Ulrike Lunacek, të realizuar përmes postës elektronike:

KosovaPress: Si e komentoni ardhjen e shefit të përgjithshëm të Ushtrisë Serbe Ljubishia Dikoviq në Prishtinë për ta nënshkruar marrëveshjen për relaksimin e Zonës së Sigurisë Ajrore me komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglieta, duke e pasur parasysh raportin e aktivistes për të drejtat e njeriut dhe themelueses se Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, të publikuar në vitin 2012, në të cilin ngrihen akuza serioze ndaj Dikoviqit për kryerje të krimeve të luftës në katër fshatra të Kosovës në vitin 1999? Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e tij nuk ishte në dijeni për vizitën e Dikoviqit dhe se do të ishte më mirë sikur ai të përballej me drejtësinë së pari. A mendoni se kjo shpërfillje e institucioneve të Republikës së Kosovës dëmton të arriturat e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel?

Lunacek: Është e qartë se komanda e KFOR-it do të mund dhe do të duhej të veprojë në një mënyrë më të kujdesshme, pasi ka qenë e parashikueshme se vizita e Ljubisha Dikoviqit do të lëndojë ndjenjat e kosovarëve. KFOR-i do të duhej të veprojë në bashkëpunim me autoritetet kosovare në mënyrë që të shmangë ofendimin mbi kujtimin për viktimat, si dhe të mos dëmtojë procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtë do ta përfshij në raportin tim të ardhshëm.

KosovaPress: Konfrontimi mes Qeverisë dhe deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës sa vjen e rritet dita ditës, derisa dhuna shfaqet edhe në rrugët e kryeqytetit si pasojë e mungesës së një konsensusi mes opozitës dhe Qeverisë në lidhje me mospajtimet për marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi. Gjykata Kushtetuese tashmë e ka pezulluar marrëveshjen mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por opozita, veçmas Lëvizja Vetëvendosje, shfaq dyshime rreth vendimeve të kësaj Gjykate, kështu që vendimi për pezullimin e Asociacionit nuk e ka ndalur atë që të bllokojë seancat në Parlament dhe të protestojë në rrugë. Ju i keni dhënë dritën e gjelbër një propozimi pesë pikësh të dy deputetëve, ku thuhet se marrëveshja për Asociacionin do të duhej të dërgohej në Komisionin e Venedikut nëse opozita nuk u beson vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. A mendoni se Komisioni i Venedikut është zgjidhja përfundimtare për ta definuar legjitimitetin e marrëveshjes për Asociacionin të arritur mes Kosovës dhe Serbisë?

Lunacek: Siç thatë edhe ju, unë e vlerësoj lart këtë përpjekje dhe kam kërkuar nga të gjitha partitë në Kosovë, pavarësisht se a janë qeveritare apo opozitare, që të pajtohen mbi këtë propozim. Dhe po, mendoj se është propozim valid ta sjellësh Komisionin e Venedikut në këtë proces, nëse duhet patjetër. Megjithatë, kërkoj nga Qeveria dhe opozita të ulen dhe të dialogojnë, siç është propozuar nga Osmani dhe Deda, dhe të kthehen tek rrugët paqësore dhe të civilizuara të të negociuarit, në debatin në Kuvend, në mënyrë që të mos dëmtohet edhe më shumë imazhi i Kosovës jashtë nga përshkallëzimi i situatës në dhunë, dhe kështu ta rrezikojë procesin drejt liberalizmit të vizave.

Duke i parë protestat e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, unë edhe njëherë kërkoj nga partitë opozitare dhe Qeveria përgjegjësi politike që të mos ketë edhe më shumë përshkallëzime në dhunë. Arrestimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe dhjetëra aktivistëve të tjerë të shtunën, mund të jetë zbatuar sipas procedurave penale, por duke marrë parasysh situatën e tensionuar, koha dhe shtrirja e këtij aksioni nuk ishin të dobishme për të përkrahur një fillim tepër të nevojshëm të dialogut në mes opozitës dhe Qeverisë.

Për këtë arsye, e ripërsëris thirrjen time për dialog si të vetmin mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet, dhe po ashtu inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë mundësi të ndryshme për të dialoguar, përfshirë Kuvendin, si dhe propozimin e paraqitur nga dy deputetët Deda dhe Osmani.

Tash, të gjitha partitë duhet të presin për vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në janar. Më pastaj, të gjitha marrëveshjet duhet të diskut ohen dhe të raportohen në Kuvend. Si një mike e mirë e Republikës suaj të re, apeloj që të ktheheni në mënyrat paqësore të të negociuarit dhe të bërit politikë, dhe tek puna konstruktive e opozitës e jo tek veprimet e dhunshme.

KosovaPress: Qeveria e Kosovës është duke u zotuar vazhdimisht se 2016-ta do të jetë viti kur qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e arritur mes Kosovës dhe BE-së, bëri të dukej se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është edhe më afër. A mund të thuhet se kjo marrëveshje është një indikator për liberalizim vizash, dhe deri në çfarë niveli Qeveria e Kosovës ka përmbushur kriteret që do të mundësonin lëvizje pa viza për kosovarët në vitin 2016?

Lunacek: Po. Marrëveshja për Stabilizim-Asociim ka qenë një hap i rëndësishëm i Kosovës drejt së ardhmes evropiane. Sa i përket liberalizimit të vizave: Komisioni Evropian aktualisht është duke e përgatitur vlerësimin e vet që do të publikohet dhe do të prezantohet përpara shteteve anëtare nga mesi i dhjetorit. Shpresoj se do të paraqesë rekomandime pozitive para ministrave të brendshëm të shteteve anëtare. Qeveria e Kosovës më ka informuar se ka për synim përmbushjen e kritereve përfundimtare për liberalizim vizash javën e ardhshme. Vendimi përfundimtar, siç e dini, duhet të merret në një përpjekje të përbashkët të Parlamentit Evropian (kjo votë do të jetë pozitive), si dhe 28 ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së. Por më lejoni ta them shumë hapur, siç u thashë edhe partive opozitare në Kosovë: me pamjet e dhunës në Kuvend, procesi i liberalizimit të vizave do të rrezikohet. Pasi këto pamje dëmtojnë imazhin e Kosovës jashtë vendit: të vetmet pamje televizive nga Kosova janë ato të dhunës në Kuvend. Gj endja rëndohet edhe më shumë pas sulmeve terroriste ndaj qytetarëve parisienë, kur qeveritë në BE janë në gjendje alarmi, dhe në këtë mënyrë pamjet e dhunës definitivisht nuk e prezantojnë Kosovën në mënyrë pozitive. Prandaj kam kërkuar nga opozita që të heqë dorë nga dhuna, pasi dhuna mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave. Po ashtu i bëj thirrje partive në koalicionin qeverisës që të ndalojnë arrestimet e tepruara siç ndodhi në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor, për arsyen e njëjtë. Dialogu dhe jo eskalimi në konflikt janë rruga drejt liberalizimit të vizave. Dua që kosovarët të jenë të lirë të udhëtojnë lirshëm në BE nga viti i ardhshëm.

KosovaPress: Gjatë dialogut në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Pasi Kosova dështoi për t’u anëtarësuar në U NESCO, a mendoni se Qeveria e Kosovës do të duhej ta rishikonte qasjen ndaj Serbisë, duke e pasur parasysh faktin se diplomacia serbe vazhdon ta pengojë progresin dhe zhvillimin e Kosovës si shtet sovran, duke e bllokuar që t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare, siç bëri në UNESCO?

Lunacek: Siç e dini, e kam kritikuar ashpër sjelljen e Serbisë si dhe abstenimin apo votimin kundër të disa shteteve anëtare të BE-së. Mospranimi në UNESCO nënvizon një bllokadë të vazhdueshme politike të Serbisë ndaj Kosovës, që e komplikon edhe më shumë qasjen e saj në organizatat regjionale dhe ndërkombëtare. Edhe pse në marrëveshjen e dialogut përfshihet vetëm mosbllokimi për anëtarësim në organizatat regjionale, veprimet e drejtpërdrejta të Serbisë kundër Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO nuk ishin në frymën e fqinjësisë së mirë, që janë substanciale për dialogun dhe procesin e zgjerimit. Serbia dhe disa nga liderët e saj definitivisht përçuan mesazhe me nivel të lartë urrejtjeje, që janë të papranueshme – e edhe më keq, sepse anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do ta kishte vendosur trashëgiminë kulturore dhe religjioze të Serbisë nën mbrojtjen dhe monitorimin absolut të UNESCO-s! Kështu që Serbia do të duhej ta përshëndesë dhe ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës!

Dialogu megjithatë duhet të vazhdojë, por pa e futur në agjendë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë! Më lejoni të bëhem konkrete, mendoj se Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme duhet të shikojë në detaje se prej ku dhe prej cilës pikë strategjia e saj filloi të përmbyset – dhe të marrë mësim për herën tjetër.

Po ashtu kam kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politika të Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Frederica Mogherini që të përgatisë raportime të rregullta mb i statusin e implementimit të marrëveshjeve të dialogut në Parlamentin Evropian, si dhe për Kuvendin e Kosovës dhe atë të Serbisë. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>