Disa qindra veta morën pjesë në paradën e krenarisë, në Prishtinë, parakalimi i parë i këtij lloji me synimin për të mbështetur të drejtat e komunitetit LGBT.
Me moton, “Në emër të dashurisë”, pjesëmarrësit parakaluan qendrës së Prishtinës për të përmbyllur me një koncert paradën e organizuar nga shoqatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili mori pjesë në parakalim tha se “Institucioneve të shtetit të Kosovës u përket të përkrahin dhe të mbrojnë çdo qytetar në realizimin e të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.
Në mbështetje të paradës u shpreh edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
“Ditë tepër e mrekullueshme për ta pasur tamam Paradën e Krenarisë. Jam shumë i lumtur që po i shoh gjithë këta përkrahës këtu. Dëshiroj tju bëj të ditur të gjithëve që ambasada amerikane në Kosovë ju mbështet të gjithëve dhe qëndron krah jush”, tha ai.
Organizatorët thanë se parada synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve qeveritare dhe publike dhe për t’i treguar shoqërisë së Kosovës që komuniteti LGBTI është këtu, i pranishëm në çdo segment të jetës në Kosovë.
Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria. (voa)