Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë tha se “vlera e projekteve infrastrukturore, që janë të rëndësishme për lidhjen e Beogradit dhe Prishtinës” dhe që “do të diskutohen me përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, kap shumën prej 3.7 miliardë eurosh”.
Në një deklaratë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ministria tha se, deri më tash, është siguruar financimi për pjesën e parë të autostradës Nish-Merdare-Prishtinë, të gjatë 33 kilometra, nga Nishi në Plloçnik, dhe se me Korporatën amerikane do të bisedohet për ndërtimin e pjesëve të mbetura.
Në deklaratë po ashtu thuhet se gjatësia totale e autostradës Nish-Merdare-Prishtinë është rreth 100 kilometra, nga të cilat 77 kilometra janë nga Nishi në Merdare.
Vlera e parashikuar për ndërtimin e të gjithë autostradës është 1.065 miliard euro.
Ministria serbe tha se do të bisedohet edhe për bashkëpunimin e mundshëm në projekte të tjera të trafikut rrugor, të tilla si: autostrada Bujanoc – Konçul – Gjilan – Shtërpcë, e gjatë 78 kilometra, riparimi i rrugës Ribariq – Bërnjak – Zubin Potok, e gjatë 28 kilometra, dhe rrugës Rashkë – Jarinë – Mitrovicë, e gjatë 61 kilometra.
“Kur bëhet fjalë për lidhjet hekurudhore, përparësi është rindërtimi i hekurudhës që lidh Nishin, Merdaren dhe Prishtinën”, tha Ministria serbe e Ndërtimit, për të shtuar se një nga projektet e propozuara është edhe hekurudha Prishtinë – Fushë Kosovë – Hani i Elezit.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan të martën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan se do të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje është nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së në Beograd.
rel