Në kërkim të konsensusit për Gjykatën Speciale

gjykataNevoja për arritjen e një konsensusi politik, ka shtyrë institucionet e Kosovës që të zvarrisin miratimin e Amandamentit Kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Amandamenti Kushtetues i propozuar nga Qeveria e Kosovës, i cili ka marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese, ka mbetur ende në procedurë në Kuvend, ngaqë ai nuk do të shqyrtohet as në seancën e radhës më 21 maj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë të martën pas mbledhjes së kryesisë, se do të jetë e nevojshme që për këtë çështje të ketë një konsensus politik.

“Procesi është duke lëvizur. Ajo çka është ma kryesore se do të kemi një partneritet me partnerët tanë ndërkombëtarë edhe është shumë më rëndësi të kemi konsensus të plotë nacional. Kjo është edhe një thirrje që bashkërisht të ulemi si spektër politik dhe përmes konsensusit politik ta kalojmë edhe këtë sfidë e cila i paraqitet shtetit tonë”, ka deklaruar Veseli.

Në anën tjetër, deputetët nga partitë opozitare kanë hedhur dyshime se koalicioni qeverisës është duke zvarritur me qëllim themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, deri në arritjen e ndonjë kompromisi politik me Listën Serbe.

Opozita ka ngritur dyshimet për kompromiset që Qeveria e Kosovës mund të bëj me Listën Serbe në pazaret që mund të ndërlidhin Gjykatën Speciale dhe Forcat e Armatosura të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Gjykata Speciale për Krime Lufte është e dëmshme dhe ajo nuk do të mbështetet nga forcat opozitare.

“Për shkak të kundërshtimeve të Beogradit dhe të Listës Serbe e cila është në Qeverinë e Kosovës dhe e cila ka hyrë aty me kushte të caktuara, mendoj se ata (Lista Serbe) e kanë si kusht që së pari të krijohet një tribunal i veçantë ku persekutohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pastaj të shikojmë se si do t’ia bëjmë me krijimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndaj vlerësimeve të deputetëve opozitar ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, duke thënë se asnjë gjykatë nuk do të mund të njollos luftën e drejtë të UÇK-së.

“Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi prej askujt. Ne jemi në të drejtën tonë. Askush nuk e njeh vetveten më mirë sesa e ai vet. Ne jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë të së kaluarës sonë dhe luftës sonë të lavdishme”, është shprehur Grabovci.

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte mbështetet edhe nga partia tjetër në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka theksuar se kjo Gjykatë do t’i heq disa dyshime që janë ngritur për luftën në Kosovë.

“Asnjë gjykatë dhe asnjë instancë nuk mund ta devalvojë dhe denigroj luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë e kam thënë se ne do të votojmë pro-gjykatës dhe duhet që këto çështje që kanë ngritur të spastrohen”, ka deklaruar Beqiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte, fillimisht kalon përmes amandamentimit të Kushtetutës së Kosovës me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kosovës dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Kjo Gjykatë pritet që të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>