Në Kosovë shënohet përvjetori i masakrës së Reçakut

Recaku 1Shtetet e QUINT-it përkujtuan masakrën e Reçakut dhe kërkuan drejtësi. Presidenti serb Vuçiq ditë më parë masakrën e Reçakut e cilësoi trillim.

Kosova përkujton sot masakrën e Reçakut, ku 21 vjet më parë forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit. Me 15 janar të vitit 1999, forcat serbe në fshatin Reçak ndanë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një mal në afërsi të fshatit. Nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori amerikan William Walker, vrasja e 45 civilëve të Reçakut u cilësua krim kundër njerëzimit. Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse bota demokratike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 marsfilloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova, ku me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK). 21 vjet pas masakrës së Reçakut, serish u ashpërsua retorika politike Kosovë-Serbi, pas një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili këtë masakër e cilësoi si një ngjarje “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s”. Një gjykatë në Prishtinë e shpalli fajtor ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, duke e dënuar me dy vjet burg, për një deklaratë që e kishte bërë në vitin 2018, kur masakrën e Reçakut e quajti “trillim”.

“Vuçiqi si Millosheviqi”

WalkerWilliam Walker po qëndron në Kosovë në përvjetorin e masakrës së Reçakut. I pyetur për deklaratat e Presidentit të Serbisë Vuçiq, ai tha: “Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiq që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviqit”. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, i gjykuan ashpër deklaratat e Presidentit Vuçiq, lidhur me masakrën e Reçakut duke thënë se “e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet e luftës”.

Në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, shtetet më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, me një deklaratë të përbashkët përkujtuan viktimat.

Kërkesat e QUINTIT

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e QUINT. Këto vende kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi.

“Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre. Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve duhet të ndjehen si në shtëpinë e tyre, të jenë të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë.” Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, përmbyllë deklaratën QUINT.

Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për përmirësimin e marrëdhënieve dhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes. Temë e bisedave ishte edhe gjetja e trupave të mbi 1600 personave të vrarë gjatë luftës që akoma cilësohen të zhdukur. Shumica e këtyre trupave të zhdukur janë shqipëtar të Kosovës.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>