Në seancën e nesërme, zgjedhja e presidentit nuk është rend dite

kuvendi-ikosovesDeputetët e partive të koalicionit qeverisës, LDK dhe PDK, nuk i kanë mbledhur nënshkrimet për ta futur në rend dite zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës , që pritet të mbahet nesër.

Madje, përfaqësues të partive në Qeveri thonë se nuk e kanë me urgjencë një gjë të tillë. Ata thonë se zgjedhjen e presidentit të ardhshëm do ta bëjnë në një seancë solemne dhe jo në seancë të jashtëzakonshme, siç mund të jetë ajo e së nesërmes, pasi opozita ka paralajmëruar veprime të njëjta edhe në mbledhjet e ardhshme për ta bllokuar punën e Kuvendit.

Ilmi Reqica, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se deputetët e partive të koalicionit qeverisës, janë të interesuar që zgjedhja e Hashim Thaçit president të bëhet në mënyrë solemne, derisa ka shtuar se të premten janë rreth 22 pika të rendit të ditës të cilat i ka konsideruar si shumë të rëndësishme, por që siç ka thënë nuk ai, zgjedhja e presidentit nuk do të jetë pikë e rendit të ditës.

Megjithatë, sipas Reqicës, kurdoherë që është e nevojshme mbledhja e këtyre nënshkrimeve, kjo gjë do të jetë një çështje e vogël për deputetët e partive në Qeveri.

“Jo nesër jo, kur të përcaktohet dita dhe momenti për ta fut në rend dite zgjedhjen e presidentit, ne do t’i grumbullojmë nënshkrimet. Kjo është çështja më e vogël dhe më e imta e cila mund të zgjidhet shumë lehtë. Normal që ne nuk e konsiderojmë që edhe vet zgjedhja e presidentit është çështje më e vështirë se e grumbullimit të nënshkrimeve. Deri tash jo, kur të fillojnë nënshkrimet, mblidhen shumë shpejt, pa diskutim, në momentin që fillojnë të mbledhen nënshkrimet është shumë lehtë. Sot është – po e them parapërgatitja për mbledhjen e nesërme për seancën e nesërme – dhe nuk ka të bëj me zgjedhjen e presidentit, nuk është në rend të ditës. Në momentin që ne dakordohemi se kur do të jetë seanca, atëherë nënshkrimet janë çështje krejt formale”, ka thënë ai.

Reqica ka shtuar se PDK nuk e sheh si urgjente zgjedhjen e presidentit derisa zgjedhjen e Hashim Thaçit president e ka quajtur punë të kryer.

Edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri tha se nesër do të jetë seancë e rregullt, derisa ka shtuar se grumbullimi i nënshkrimeve për propozim të presidentit është i pakuptimtë, pasi sipas saj, një gjë e tillë është e përcaktuar me procedura të rregullta kushtetuese.

Gaxherri tha, po ashtu, se zyrtarisht Thaçi duhet ta ketë edhe një kundërkandidat për ta proceduar zgjedhjen e tij president në Kuvend.

Mirëpo, Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se institucionet aktuale e kanë humbur legjitimitetin për të marrë çfarëdo vendimi, pasi sipas tij, ato e kanë shkelur kushtetutën.

Hoxha ka theksuar se edhe në rastin e zgjedhjes së presidentit do të bëhet ajo që është bërë në vazhdim, në mënyrë që të parandalohet zgjedhja e Hashim Thaçit president.

Në opinion ishte folur që partitë e pozitës kanë filluar t’i mbledhin nënshkrimet për ta proceduar në rend dite zgjedhjen e presidentit të Kosovës në mbledhjen e së premtes më 19 shkurt 2016. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>